Shënon Hazard, fiton Reali

16:39 | 31 Tetor 2020

Reali ka marrë pikët e plota në shtëpi kundër Huescas, duke triumfuar 4-1. Hazard shënoi në ndeshjen e parë për sezonin 2020/21 në La Liga.

Real Madridi i Zinedine Zidane më në fund e ka shijuar fitoren edhe në ‘Alfredo di Stefano’.

Fillimisht Cadiz e më pas Shakhtar e mposhtën Madridin në shtëpi, duke luhatur jo pak skuadrën.

Por, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë në La Liga, falë edhe paraqitjes së mirë të Eden Hazard, Reali siguroi fitoren e pestë këtë edicion – derisa ka një barazim dhe një humbje.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 40’, Hazard, në ndeshjen e parë për këtë edicion në La Liga, shënoi një gol shumë të bukur nga distanca, duke u kthyer në mënyrën më të mirë të mundshme pas dëmtimeve të shpeshta.

Para se skuadrat të shkojnë në pushim të pjesës së parë, shënoi edhe Karim Benzema, për 2-0.

Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 54’, Fede Valverde realizoi për 3-0.

Më pas Reali u çlirua disi dhe Zidane bëri tri zëvendësime të menjëhershme, kjo ndikoi pak a shumë pasi mysafirët u ngjallën dhe shënuan gol në minutën e 75’. Realizoi për 3-1 David Ferreiro.

Por vetëm ka bën mysafirët, pasi deri në fund, Reali e ruajti rezultatin dhe madje shënoi edhe një gol në minutën e 90′, sërish me anë të Benzemas për fitoren 4-1 dhe për t’i rrëmbyer pikët e plota.

Me këtë fitore, Reali rrëmben edhe kreun në La Liga me 16 pikë të grumbulluara pas shtatë xhirove.

Komento: