Sheremet Sejdiu i ulur mes trupave të katër djemve të vrarë nga Serbia, Kurti: Fotografia do të mbetet e fiskuar në historinë e Kosovës

18:03 | 03 Mars 2024
sheremet-sejdiu-i-ulur-mes-trupave-te-kater-djemve-te-vrare-nga-serbia,-kurti:-fotografia-do-te-mbetet-e-fiskuar-ne-historine-e-kosoves

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën e 3 marsit e ka përkujtuar masakrën e Likoshanit dhe fshatit Qirez të Skenderajt.

Ai ka zgjedhur të përshkruar edhe historinë e Sheremet Sejdiut, që serbët i’a vranë katër djemtë në oborrin e shtëpisë.

“I vetmi problem i tyre me policinë ishte që ishin shqiptarë dhe që nuk kishin denjuar t’u përgjigjeshin ftesave të strukturave kriminale të sigurimit të Serbisë, që qysh më 1996 ia kishin kërkuar djemtë bacit Sheremet. Kjo fotografi ka mbetur e fiksuar në kujtesën e gjeneratave të kohës dhe do të mbetet edhe më e fiskuar në historinë e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Beqir, Nazmi, Bedri dhe Bekim Sejdiu ishin ndër 20 civilë të parmatosur që u vranë më 28 shkurt 1998, nga policia e shtetit të Serbisë në fshatrat Likoshan dhe Qirez.

“Kjo ishte masakra e parë mes shumë të tjerash që do t’i kryente Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, nga shkurti i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Atë ditë, në luftime mes policëve serbë dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë edhe katër dëshmorë, kurse nga trupat serbe mbetën të vrarë 18 policë”, kujton tutje kryeministri.

Më 28 shkurt 1998 u vranë, kurse më 3 mars u varrosën, duke zënë vend mes kujtimesh të pashlyeshme dhe shkrimeve të historisë për rrugën e kaluar nga shqiptarët e Kosovës, për luftën e drejtë çlirimtare, për liri të popullit e pavarësi të vendit tonë.

“E kaluara duhet përballuar dhe përkujtuar me dinjitet dhe krenari, siç ka bërë baci Sheremet Sejdiu që nga dita kur ia vranë djemtë e deri sot”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

Komento: