Me 6 tetor do të mbahen zgjedhjet në vendin tonë.
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
Pas shpërbërjes së Kuvendit, partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor.
Njëjtë po vepron edhe Nisma Socialdemokrate.
Bilall Sherifi nga kjo parti në një intervistë për lajmi.net, ka folur për prioritetet e Nismës, për koalicionet parazgjedhore dhe paszgjedhore, qeverisjen Haradinaj, punësimet partiake nëpër ministri si dhe për punën e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket deklarimeve të shumë subjekteve politike se nuk do të shkojnë në një koalicion paszgjedhor më Partinë Demokratike të Kosovës, Sherifi ka thënë se cilado parti që po e deklaron një gjë të tillë do t’i ndryshojë qëndrimet.
“Kushdo që i fiton zgjedhjet ne do të shkojmë për të biseduar me ta por askush nuk e ka ‘blanko’ mbështetjen e Nismës.
Nuk do bëhemi pjesë e bllokadës por e dhënies së ofertës dhe pjesë e bisedimeve për të krijuar insitucionet qeverisëse.”
Për ministritë që i ka udhëhequr kjo parti, Sherifi ka theksuar se janë ndarë të kënaqur.