Sherifi tregon se kur filluan mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit qeveritar

19:32 | 20 February 2019

Bilall Sherifi, Shef i Grupit Parlamentar të Nismës, ka folur rreth mosmarrëveshjeve mes koalicionit qeverisës.

Ai tha se këto mosmarrëveshje nuk kanë filluar me taksën 100 %, por shumë më herët.

“Mendoj që përplasjet e brendshme apo nëse jo përplasjet, së paku debatet e brendshme, kanë ekzistuar edhe më herët por nuk kanë filluar me taksën – me taksën kanë arritur një nivel tjetër”.

“Debatet e brendshme kanë filluar me pozicionimet e partive brenda koalicionit rreth idesë të shkëmbimit të territoreve, dialogut me Serbinë – rreth çështjes se a duhet të bisedohet për shkëmbim, korrigjim ose ndarje të Kosovës apo jo”.

“Këtu kanë filluar debatet e brendshme. PDK-ja përkundër faktit që publikisht mban pozicionin që mban, ndikimi i presidentit aktual të vendit [Hashim Thaçi] nuk mund të injorohet brenda PDK-së dhe kjo mendoj që ka qenë arsyeja e fillimit të debateve”.

Sherifi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se taksa më shumë është si veprim mbrojtës i qverisë së vendit në raport me veprimet e Serbisë kundër Kosovës.
“Kosova ka vepruar përmes taksës si reaksion ndaj veprimeve kundër interesave të shtetit të Kosovës”.

“Tani jemi në një nivel ku taksa 100 % ka arritur në atë pikë që partnerët e koalicionit kanë filluar të kenë debate më të frustruara, sidomos nga ana e PDK-së dhe AAK-së”.
Por a e mbështet Nisma Socialdemokrate taksën 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?

“Sa i përket taksës, jo vetëm Nisma por edhe PDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja si pjesë e koalicionit kanë qenë për vendosjen e kësaj takse. Pas zhvillimeve në raport me aleatët tanë është imponuar një diskurs tjetër në debat të brendshëm por edhe atë publik”.

“Ne [Nisma Socialdemokrate] e mbështesim taksën. Madje unë them se sa të qëndrojë Ramush Haradinaj, qëndroj edhe unë – ai është kryeministër dhe dera e parë në komunikim me aleatët dhe miqtë e Kosovës”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës ka thënë se taksa dhe dialogu duhet të jenë dy procese të ndara.

“Mendoj që do të ishte mirë të ndahen taksa nga procesi i dialogut. Mendoj se duhet të fillojë një dialog për taksën dhe të vazhdojë dialogu për statusin final të Kosovës”.
“Duhet të arrihet një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia menjëherë dhe njëkohësisht duhet të ndërmerrnin hapa në drejtim të zgjidhjes së çështjes të taksës”.

“Një nga kushtet që Serbia duhet të plotësojë menjëherë është të shpallë moraturim ndaj veprimeve të saj kundër Kosovës, duhet të mbyllë të gjithë qendrat që ka hapur në luftë kundër Pavarësisë së Kosovës dhe të tërheqë të gjitha kërkesat për tërheqjen e njohjes së Kosovës.Kryeministri, Qeveria e Kosovës së bashku me partnerët duhet të ndërtojë një listë të kërkesave që do të ishin ekuivalente me pezullimin e taksës”.

Komento: