
Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit për shfuqizimin e vendimit që kishte marrë ai gjatë qeverisjes së tij.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, i cili ka shfuqizuar vendimin e marr nga Qeveria Haradinaj që ia mundësonte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Haradinaj ka thënë se ky vendim i ministrit Abdixhiku është mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti.
“Sot duke manipuluar me shifra dhe duke trumpetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin. Për hir të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyçjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka thënë se Qeveria nuk anuloi 50 milionë por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me autostradën Arbën Xhaferi.
“Qytetarë të nderuar Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milion por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyqjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me Autostradēn Arbën Xhaferi. Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, thuhet në reagimin e Haradinajt.
Ndryshe, sot është anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ky anulim ka ardhur në mbledhjen e Qeverisë me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku e ka propozuar dy opsione që të nënshkruhet kontrata ose anulohet vendimi. Ai ka thëne është për propozimin e dytë, që njëherë të anulohet vendimi.
Këtë vendim e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka marrë edhe mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar.
“Edhe unë jam për këtë vendim. Duhet të ndalet kjo gjakderdhje financiare, ku paratë po na rrjedhin si lumë”, tha Kurti, raporton lajmi.
Pika e dytë obligohet Ministria të ndërpresë me efekt të menjëhershëm negociatat me Bechtel Enkën dhe të vlerësojë dëmet.
“Obligohet Njësia për zbatimin e projektit të mos nënshkruajë dokumentacionin e nevojshëm në emër të Ministrisë”, tha Kurti.
Bazuar në këtë vendim, konsorciumi Bechtel Enka kërkonte rreth 50 milionë euro.
Kërkesën e tillë ky konsorcium e mbështeste në vendin e Qeverisë Haradinaj të vitit të kaluar.
Vendimi i mbledhjes se Qeverisë të mbajtur më 28 maj 2019 kishte të bënte me zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri në fund të vitit 2020.
Në pikën 2 sqarohej se kjo zgjatje e punëve po bëhej për të përfunduar ndërtimin e disa kyçjeve në autostradë.