Shifër marramendëse e kosovarëve që migruan për katër vjet

21:12 | 10 April 2019

Për vetëm katër vjet, është shënuar një shifër e madhe e kosovarëve që migruan.

Në një hulumtim të përgatitur së fundi nga institucionet e Republikës së Kosovës për migrimin e njerëzve, kanë dalë shifrat e migrimit të kosovarëve përgjatë viteve 2014-2017.

Ndonëse numri i migrimit së fundi ka pësuar një rritje të ndjeshme, sipas statistikave gjatë vitit 2017 ka pasur rënie të ndjeshme të migrimit legal dhe ilegal.

Të dhënat e gjetur nga hulumtimi, të cilat i ka siguruar Indeksonline, kanë treguar se mbi 150 mijë veta e kanë braktisur Kosovën nga viti 2014 deri në 2017.

Por gjatë vitit 2018 dhe në fillim të këtij viti është rritur ndjeshëm numri i të larguarve nga Kosova, ani pse institucionet e vendit nuk kanë dhënë ende shifra të sakta.

Indeksonline të hënën ka publikuar një hulumtim për ikjen masive të njerëzve së fundi.

Ndërsa nesër pritet të mblidhet edhe Kuvendi i Kosovës për të diskutuar në një seancë të jashtëzakonshme përkitazi me migrimin.

Sipas hulumtimit të institucioneve të vendit, në vitin 2014 kanë migruar gjithsej 45 333 qytetarë të Kosovës, në 2015 numri ishte tejet i lartë ku shifra e migrimit kishte shkuar në 74434 ndërsa në 2016 janë regjistruar 22012 persona që kanë migruar në vendet huaja dhe në 2017 shifra kishte zbritur në 11263 të migruar, raporton Indeksonline.

Gjithnjë sipas hulumtimit të fundit të institucioneve, pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2017, ishin emigrantët të rregullt.

Arsyet e emigrimit të rregullt ishin: bashkimi familjar, martesat, punësimi, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studimi, etj. Poashtu, gjatë periudhës 2013-2017 një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kosovar emigruan duke kërkuar azil (aplikantë për herë të parë) në vendet e BE-së, përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA-së). Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së, një numër i Kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Kanada, etj.

Numri i popullsisë Kosovare të emigruar dhe asaj me prejardhje Kosovare (1969-2011) është vlerësuar të jetë 703,978 banorë, derisa në vitin 2017 vlerësohet të jetë 833,739 banorë.

Pas vitit 2011 kryesisht emigruan të rinjtë e grup-moshave 25-44 vjeç të cilët përbënin 43.92% të popullsisë emigruese (mosha kryesore riprodhuese në aspektin e fertilitetit dhe asaj të fuqisë punëtore) derisa, dominonte grup-mosha 21-27 vjeç me 27.53%. Është interesant fakti se gjatë këtyre viteve (2011-2017) personat pas moshës së punës (mbi 65 vjeç) përbënin një numër të konsiderueshëm të emigrimit me 3.60% derisa në periudhën 1969-2011, kjo grup-moshe përbënte vetëm 1.3% të emigrimit Kosovarë. Bazuar në të dhënat e disponueshme emigrantët Kosovarë (2011-2017) kanë emigruar kryesisht në Gjermani dhe kohëve të fundit edhe në Francë, Itali dhe vendet Skandinave.

Përkundër emigrimit të madh, në Kosovë janë kthyer një numër i vogël i personave që kishin emigruar për vite të tëra nga Kosova.

Në vitin 2017 bazuar në të dhënat e vlerësuara nga Agjencia e Statistikës së Kosovës, kanë emigruar 5,832 persona. Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë të vitit 2011 për periudhën 1969-2011 si dhe vlerësimeve të popullsisë (2011-2017) janë gjithsej 180,242 imigrantë (të kthyer) apo rreth 10% e popullsisë rezidente të Kosovës. Rreth 98% e të kthyerve kishin shtetësi Kosovare prandaj, shumica dërmuese e imigrantëve në fakt ishin të kthyer në vendin e tyre.

Komento: