Shifër rekorde – Mbi 6 mijë shoferë pa të drejtë drejtimi, dilema për konfiskimin e patentë-shoferëve

09:45 | 24 Qershor 2026
shifer-rekorde-–-mbi-6-mije-shofere-pa-te-drejte-drejtimi,-dilema-per-konfiskimin-e-patente-shofereve

Që nga fillimi i vitit 2026 e deri në qershor policia e Kosovës për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, ua mori lejet e veturave mbi 6 mijë shoferëve të automjeteve të ndryshme.

“Policia e Kosovës zbaton të gjitha ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës e në rastin konkret ligjet që lidhen me fushën e trafikut, ku përveç gjobave për kundërvajtje të ndryshme, janë paraparë edhe masa mbrojtëse, kështu nga fillimi i këtij viti 6,259 shoferëve u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.”

Një numër i madh i lejeve të veturave ishin konfiskuar nga policia e Kosovës edhe vitin e kaluar, ajo përgjatë vitit 2025 kishte konfiskuar mbi 13 mijë syresh. Ndërkohë, konfiskimi i patentshoferëve nga ana e Policisë së Kosovës po vlerësohet si shkelje e të drejtave të njeriut, meqë, patentë shoferi është dokument personal dhe i nevojshëm për qytetarët. Ish-drejtori i Policisë Reshat Maliqi, ngriti alarmin se si shkak i konfiskimit të këtij dokumenti një numër i qytetarëve rrezikojnë të humbasin edhe vendet e punës.

“Policia kur po konfiskon patentë shofer, po konfiskon të gjitha kategoritë. Pra nëse bënë shkelje me veturë po të konfiskohet edhe patenta për autobusë po rrezikon qytetarët që t’i lë edhe pa punë. Kjo nuk po më duket e drejtë”, tha Maliqi.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi bëri të ditur se po përgatitë një lëndë për shqyrtimin e ligjshmërisë së këtij ligji në gjykatën Supreme, meqë, përveç konfiskimit të patentë shoferëve me raste policia ka konfiskuar edhe automjetet e qytetarëve.

“Ka raste kur janë konfisku vetura kur pronar nuk ka qene ngasësi i makinës por krejt dikush tjetër. Pra makina ka qenë pronë e kompanisë”, shtoi Maliqi.

Me ligjin e ri për rregullat e trafikut i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024, Policia e Kosovës ashpërsoi gjobat dhe masat ndëshkimore në trafikun rrugor. Në këtë situatë, avokati Arbër Jashari përmend bazën ligjore që ka Policia për konfiskimin e patentë-shoferëve, megjithatë, edhe Jashari përmend mundësinë e shkeljës së të drejtave të njeriut.

“Ka mundësi që është shkelje e të drejtave të njeriut. Por baza ligjore ekziston sepse është plotësu dhe ndryshu ligji për rregullat në trafik…”, tha Jashari.

Ndërkohë sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës në tremujorin e parë të vitit 2026 janë shënuar mbi 4800 raste të aksidenteve rrugore. Ndërkaq, përkundër masave të rrepta dhe dënimeve të ashpra rrugët në Kosovë vazhdojnë të shënojnë aksidente me fatalitet pothuajse çdo javë.

Komento: