Shifër shqetësuese: Mbi 80 mijë qytetarë të papunë në Kosovë

19:14 | 06 February 2022

Papunësia po vazhdon të jetë në shifra të larta në vendin tonë.

Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë e në anën tjetër bizneset ankohen për mungesë të fuqisë punëtore.

Drejtori i departamentit të punësimit në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, Shpëtim Kalludra, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se një numër i madh i të papunëve të regjistruar janë me përgatitje të lartë shkollore.

Kalludra tha se nuk qëndron pohimi i bizneseve se ka mungesë të fuqisë punëtore, por sipas tij, problem është mungesa e kushteve për punë dhe pagat e ulëta në sektorin privat.

“Duke marrë parasysh që shumica e bizneseve kriter për punëtorë e kanë vetëm shkollën e mesme, mund të themi që kualifikimet profesionale nuk janë problemi. Por ajo çka është problem në ketë çështje dhe sipas analizës sonë, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta.”

Kalludra, po ashtu bëri të ditur se nga mbi 10 mijë vende të punës që kanë qenë vitin e kaluar kjo agjenci ka ndërmjetësuar rreth 58 përqind të tyre.

Ndërsa, si problem për tregun e punës si pasojë e mospërgatitjes se duhur profesionale për profesione të caktuara gjatë shkollimit, e sheh njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja.

Ai i tha Radio Kosovës se ka një mospërputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve që nga shkollat e mesme profesionale dhe universitetet.

“ Ka një mospërputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve, qoftë në shkollat e mesme profesionale dhe universitete, kjo mospërputhje dëshmohet nga cilido student që futet në treg të punës, dhe dëshmohet nga cilido punëdhënës se sa të diplomuarit mungojnë në shkathtësi dhe aftësi për nevojat e vërteta të tregut të punës. “

Se shkalla e papunësisë është e shumë e lartë dhe ka mungesë të kushteve të punës në Kosovë e tregon edhe fakti që vetëm në muajin janar të këtij viti për 450 viza pune në Ambasadën e Gjermanisë, në Prishtinë, kanë aplikuar 48 mijë e 962 qytetarë të Kosovës.

Komento: