Shifra alarmante të të infektuarve godasin Kosovën e rajonin

10:10 | 29 Tetor 2020

Situatë e rëndë brenda dhe jashtë kufijve, shifra alarmante të të infektuarve godasin Kosovën e rajonin.

Numri i rasteve të reja me COVID-19 është rritur dukshëm ditëve të fundit. Përveç në Kosovë, shifra të larta të të infektuarve janë regjistruar edhe në vendet e rajonit. Situata në këto shtete po cilësohet si alarmante. Express ju sjell detaje rreth gjendjes epidemiologjike në këto vende.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, janë regjistruar katër raste të vdekjes dhe janë konfirmuar 281 raste të reja me koronavirus.

Rastet pozitive janë regjistruar në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Prizren, Gjilan, Vushtrri, Lipjan, Mitrovicë, Ferizaj, Suharekë, Obiliq, Viti, Deçan, Drenas, Gjakovë, Podujevë, Skenderaj, Kamenicë, Malishevë, Shtime, Dragash, Klinë, Pejë dhe Rahovec.

Me këto raste, numri i të infektuarve që nga 13 marsi, ka arritur në 18 mijë e 626, me gjithsej 673 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese, shkruan Express.

“Numri total i rasteve pozitive është 18.626 raste nga 90.040 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 673 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 97 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.295 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.658”, thuhet në raportin e fundit të IKSHP-së rreth situatës epidemiologjike në vend.

Situata më e rënduar është në Maqedoninë e Veriut. Atje gjatë 24 orëve të fundit, janë konfirmuar 870 raste të reja me këtë sëmundje, pas testimit të 2 mijë e 647 personave.

Gjithashtu, janë regjistruar edhe 14 vdekje, si pasojë e infektimit me COVID-19.

Instituti i Shëndetësisë Publike atje ka njoftuar edhe për shërimin e 292 pacientëve, të cilët kanë qenë të prekur me këtë sëmundje.

Situatë e rëndë është edhe në Shqipëri. Sipas buletinit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë regjistruar gjashtë raste të vdekjes dhe janë konfirmuar 311 raste të reja me këtë sëmundje.

Ministria ka njoftuar edhe për shërimin e 85 personave.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë e deri tash, në Shqipëri janë infektuar mbi 20 mijë persona, ku rreth 11 mijë prej tyre tashmë janë shëruar, derisa 493 të tjerë kanë vdekur, si pasojë e kësaj sëmundje.

Komento: