Shifra të frikshme të falimentimit të bizneseve në Kosovë

20:23 | 13 Qershor 2019

Që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Sipas përfaqësueseve të bizneseve, këto shifra janë shqetësuese dhe kërkojnë nga autoritetet kompetente që të mundohen të gjejnë arsyen e shuarjes së bizneseve.

Statistikat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se gjatë tërë vitit të kaluar janë shuar 1893 biznese, të cilat nëse zbërthehen, i bie se më shumë se pesë biznese shuhen brenda një dite. Kurse nga fillimi i këtij viti e deri më tani, janë shuar 787 biznese, apo më shumë se katër biznese në ditë.

Shumica e bizneseve të shuara i takojnë tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, industria përpunuese, prodhimtaria dhe ndërtimtaria.

Përderisa në Ministrinë e Tregtisë nuk kërkohet ndonjë arsye e veçantë për procedurat e shuarjes vullnetare të bizneseve, përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se mes arsyeve për shuarjen e aktivitetit, afaristët vazhdimisht kanë përmendur rënien e fuqisë blerëse, rritjen e kostos për mirëmbajtje të biznesit, moszbatimin e ligjeve, konkurrencën dhe barrën fiskale.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë është përafërsisht i njëjtë me vendet e rajonit. Sipas një hulumtimi të kësaj aleance, thuhet se në dy dekadat e fundit, rreth 2000 biznese mbyllin veprimtarinë e tyre brenda një viti, kryesisht biznese me më shumë se dy punëtorë.

“Përgjigjet e afaristëve të cilët i kanë mbyllur bizneset janë të ndryshme. Sipas tyre, bizneset shuhen për shkak se e humbin fuqinë konkurruese karshi monopoleve të krijuara në Kosovë. Pastaj, taksat janë të lartë dhe nuk mund të krijojnë produktivitet për aktivitetin e tyre, nuk kanë qasje në tenderë, grante dhe donacione sepse nuk kanë afërsi me zyrtarë të politikës, ekonomia joligjore që është mbi 30 për qind, e që kjo ndikon drejtpërdrejtë te ta”, thotë Shahini.

Komento: