
Rezidenca verore e diktatorit fashist italian Benito Mussolini në bregdetin e Adriatikut është shitur për 1.2 milionë euro, konfirmuan autoritetet bashkiake të shtunën.
Vila Mussolini, e vendosur përgjatë shëtitores bregdetare të Riccione në bregdetin e Adriatikut, tani i përket këshillit vendor. Sipas kryebashkiakes Daniela Angelini, çmimi ishte 1.2 milionë euro.
Vila, e cila është më shumë se 130-vjeçare, është përdorur nga këshilli vendor si qendër kulturore dhe ekspozitash në vitet e kaluara, por ishte në pronësi të fondacionit.
Angelini e përshkroi blerjen si një “vendim largpamës”.
“Riccione nuk e hedh poshtë të kaluarën e saj komplekse, por e përpunon atë në mënyrë kritike përmes kulturës”, tha ajo.
Edhe pse në të kaluarën pati polemika në lidhje me emrin e vilës, bashkia synon ta mbajë emrin Vila Mussolini.
Ndërtesa u ndërtua rreth vitit 1890, si një shtëpi tipike pushimi në bregdetin e Adriatikut.
Në vitin 1934, familja Musolini e bleu atë dhe e përdori si rezidencë verore. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa u bë pronë shtetërore dhe më vonë ra në duart e një fondacioni./Indeksonline/