Pacientët ekzaminohen dy herë shkaku i aparaturave të vjetra.
Për shkak të aparaturave të stërvjetruara ndodh që pacientët në Klinikën e Radiologjisë, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), t’i nënshtrohen dy herë një ekzaminimi. Gjithë kjo për shkak se rezultatet e ekzaminimin fillestar mund të jenë me gabime.
Lavdim Ymeri, specialist i radiologjisë në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, ka thënë për “Zërin” se për shkak të aparaturës së vjetër disa herë edhe kanë pasur probleme teknike. Sipas tij, për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe të vjetërsisë së aparaturave edhe gabimet në ekzaminime janë të mundshme.
“Numri është shumë i madh i pacientëve dhe duke pasur parasysh edhe vjetërsinë e aparaturës normalisht edhe disa probleme teknike i kemi, të mos themi çdo ditë ose çdo javë. Është problemi të nxjerrim diçka më kualitative ne si Qendër Klinike Universitare, si kabinet i rëntgenit. Shpesh ndoshta edhe dështon ndonjë rast, kështu që faji mbetet pak te ne e pak te aparatura. Vështirësi ka normale, kjo është e pashmangshme dhe kur e sheh këtë vëllim. Këtu gabimi është më se i mundshëm”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për numrin e madh të pacientëve që bëjnë ekzaminime në këtë klinikë, Ymeri ka thënë se vetëm më datën 8 prill të këtij viti për më pak se 6 orë në këtë klinikë janë bërë 52 ekzaminime. “Vetëm më 8 prill 2019, prej orës 07:30 e deri në orën 13:00 për leximin e rëntgenëve kemi pasur 52 pacientë me ekzaminime radiologjike, duke i përfshirë ato të klinikave, të ambulancave dhe të rasteve emergjente, të cilat edhe janë përshkruar se kanë pasur me nga dy-tri ose katër ekzaminime, ose edhe më shumë. Pra 52 veta që janë të evidentuar me nga disa ekzaminime, p.sh. Klinika e Endokrinologjisë i ka me 3-4 ekzaminime, duke përfshirë toraks, ekstremitete të sipërme, të poshtme, shtylla kurrizore”, ka thënë ai.