FIFA mund ta pezullojë Messin shkaku i mosmarrëveshjes së kontratës.
Lionel Messi rrezikon të përballet me një pezullim disamujor nga FIFA, nëse largohet nga Barcelona pa e zgjidhur mosmarrëveshjen rreth kontratës me klubin katalonas, sipas një avokati sportiv.
Messi i ka dërguar klubit shkresë zyrtare për ta kërkuar largimin, edhe pse ka kontratë me Barçën deri në verën e vitit 2021.
Nick De Marco QC, i cili i ka përfaqësuar organet qeverisëse të sportit, lojtarët, klubet dhe menaxherët që prej vitit 2002, thotë se shtëpisë botërore të futbollit do t’i kërkohet sipas të gjitha gjasave që ta zgjidhë çfarëdo mosmarrëveshje në shkallen e parë.
“Nëse kjo çështje përfundon diku, do të jetë në Departamentin e FIFA-s për Zgjidhjen e Mosmarrëveshje, sepse rregullat e FIFA-s do të aplikoheshin në rastin e Messit, për shkak se ai është argjentinas. FIFA i ka rregullat dhe ligjet e veta”, tha De Marco.
“Prandaj, ka shumë pak mundësi që me këtë çështje të merret ligji spanjoll, apo anglez apo zviceran. Në këtë rast aplikohen ligjet e FIFA-s”, shtoi ai.
“Rreziku me këtë strategji është, edhe pse FIFA normalisht e lejon largimin dhe regjistrimin e lojtarit, se klubi mund të ankohet më pas dhe nëse e fiton rastin, atëherë jo vetëm që lojtari do të detyrohet t’i paguajë dëmet, por do të pezullohej për disa muaj në bazë të rregullave të FIFA-s”, shpjegoi ai.
Në marrëveshjen e Messit me Barçën, e cila mbaron më 2021, ekziston një klauzolë që ia mundëson atij largimin si lojtar i lirë çdo vit. Por për ta arritur këtë, argjentinasi duhet ta njoftojë klubin nga muaji maj deri në qershor, gjë që ai nuk e ka bërë.
Por këshilltarët ligjorë të 33-vjeçarit argumentojnë se afati kohor i klauzolës duhet të shtyhet në përputhje me shtyrjen e sezonit, i cili përfundoi pas finales në Ligën e Kampionëve mes Bayern Munich dhe PSG më 23 gusht.
Messi dëshiron sfidë të re, por e kupton se vetëm shumë pak klube do të jenë në gjendje financiare ta afrojnë atë, prandaj edhe po e kërkon mundësinë për t’u larguar pa asnjë qindarkë, edhe pse e ka edhe një vit kontratë me klubin.