Shkaku i taksës, Kosova rrezikon të humbë 12 milionë euro dhuratë nga SHBA-të për ushtrinë

19:51 | 11 February 2019

Shkaku i taksës Kosova rrezikon të humbë 12 milionë euro dhuratë nga SHBA-ja për FSK-në.

Që nga krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, 10 vjet më parë, marrëdhënia e saj me ushtrinë amerikane është vënë në pikëpyetje për herë të parë.

Megjithëkëtë, mospajtimet nuk kanë të bëjnë direkt me ushtrinë, por shkaku i vendimit politik të Qeverisë së Kosovës, atij të taksës ndaj prodhimeve të Serbisë.

Komandanti i FSK-së, ka rrëfyer për Kohavisionin anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneral major Timothy Orr, e paraparë të ndodhte në 11- vjetorin e shtetësisë, raporton KTV.

Ai ka treguar se iu tha troç se gjenerali Orr nuk do të vijë si protestë ndaj qëndrimit të Qeverisë rreth taksës, informatë të cilën komandanti i FSK-së ia dha edhe kryeministrit të Kosovës.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj ka mohuar të jetë në dijeni për anulimin e vizitës.

Rreth 12 milionë euro është vlera e veturave ushtarake Humvee, donacioni që FSK-ja pritej ta merrte nga ushtria amerikane në mesin e këtij viti.

Ky fakt e ka shqetësuar gjeneralin e FSK-së, i cili pavarësisht që ka thënë se nuk do të donte të bënte deklarime politike, e frikëson ngrirja e marrëdhënieve me aleatin kryesor të ushtrisë së Kosovës.

Ndërkaq, komandanti i FSK-së ka konfirmuar për KTV-në se është suspenduar 25 vjeçari M.S., nga Parteshi, pjesëtar serb i FSK-së, i cili dyshohet se tentoi të dhunonte një të mitur.

Shtylla e parë e Forcës, Ministria e Mbrojtjes, tashmë ka nisur procesin e transformimit dhe paralelisht më të është duke u punuar për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Komento: