Dritan Abazoviq, nuk është më kryeministër i Malit të Zi.
Seanca kishte nisur paraditen e së premtes, por orët e vona të mbrëmjes ishin vendimtare për fatin e Dritan Abazoviq në krye të qeverisë së Malit të Zi.
Pas mocionit për mos besim nga partia demokratike socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq, kryeministri Abazoviq, u shkarkua nga posti i kryeministrit.
Me 50 vota pro nga gjithsej 80 deputetët e kuvendit malazez, mesnatën e së shtunës iu dha fund qëndrimit pak më shumë se 3 mujor të Abazoviqit në krye të ekzekutivit.
Kësisoj, qeveria e tij doli të jetë më jetëshkurta në Mal të Zi.
Në mesin e deputetëve që votuan për rrëzimin e Abazoviq ishte edhe shqiptari Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik Shqiptar.
Zenka per T7 ka deklaruar se është ndjerë keq që ka votuar kundër një bashkëkombësi te tij, mirëpo Abazoviq sipas tij ka bërë veprime pro serbe dhe pro ruse.
“Unë si shqiptar e ndjeva veten shumë keq kur e shef një djalë i cili gjatë gjithë jetës e quante veten kosmopolitan e assesi nuk dëshironte ta paraqiste veten si politikan shqiptar, ai ishte me politika pro ruse”, tha Zenka.
Sipas deputetit shqiptar në Mal të Zi edhe faktori ndërkombëtar u zhgënjye me punën e Abazoviqit.
“Zotëri Abazoviq e gjeti vetën të bashkëpunojë me forcat që e stagnun ecurinë në Bashkimin Evropian e çka pasun edhe kritikat nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të gjitha ambasadave që në fillim pritën shumë prej tij por pastaj u zhgënjyn nga ai”, deklaroi Zenka.
Në anën tjetër, gazetari Gjokë Dukaj nga Mali i Zi, thotë se është ditur se Qeveria e Abazoviq nuk ishte stabile. Por, ai thotë se është befasuar nga veprimi i partive të njohura si pro-serbe.
“Ishte pak befasuese përkrahja e kësaj iniciative nga disa përfaqësues të partive pro serbe në Mal të Zi të cilët në vazhdimësi kanë insistuar në nëshkrimin e marrëveshjes themelore me kishën ortodokse serbe në Mal të Zi”, tha Dukaj.
Ndërkaq Agron Camaj, nga partia Alternativa në Mal të Zi, thotë se tash do të fillojë puna për formimin e Qeverisë së re.
Camaj, i cili është sekretar i shtetit në Ministrinë e Administratës Publike, ka një kërkesë për shqiptarët e Malit të Zi.
“Një nga pritjet e veprimeve së shumicës së re… një Qeveri e re sidoqoftë shpresoj që raporti ndaj shqiptarëve nuk do të ndryshojë pavarësisht se cila parti na reprezenton në mandatet e ardhshme. Por shpresoj të mos ndodh si në proceset e kaluara ku shqiptarët kanë mbështetur bllanko të gjitha proceset në vend pa kërkuar të drejtat tona”, u shpreh Camaj.
Abazoviq ishte zgjedhur kryeministër i shtetit malazez më 28 prill të këtij viti.