
Të paktën 10 punonjës të Federal Bureau of Investigation (FBI), të përfshirë në hetimin e ish-Këshilltarit Special Jack Smith ndaj presidentit amerikan Donald Trump, janë shkarkuar nga detyra, raportojnë mediat amerikane.
Sipas raportimeve, largimet vijnë pas pretendimeve për mbledhjen e të dhënave telefonike të drejtorit aktual të FBI-së, Kash Patel, dhe Shefes së Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në periudhën kur ata nuk mbanin ende këto poste.
Pretendimet lidhen me hetimet për dokumentet e klasifikuara që Trump kishte marrë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, si dhe me çështjen mbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Jack Smith, i cili më herët ka shërbyer edhe si kryeprokuror në Dhomat e Specializuara në Hagë, njihet edhe për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.