Opinionisti Shkëlzen Gashi ka thënë se një shumice dërrmuese të qytetarëve të Kosovës nuk u intereson edhe në zgjedhjet lokale programi i kandidatëve për kryetarë të komunave, kjo sipas tij pasi ata interesohen më shumë për përkatësinë partiake.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës duke dhënë shembujt për këtë mendim të tij ka theksuar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia nuk po zhvillon fushatë vet, por se ai po mbështetet në VV-në dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, njëherësh edhe kryeministër i vendit.
“Programi i shumicës dërrmuese të qytetarëve nuk iu intereson. Këtë më së miri na e dëshmon Podujeva kur pati përsëritje të votimit para një viti, njerëzit nuk votuan për Shpejtim Bulliqin, por votuan Albin Kurtin, po ashtu edhe kandidati i LDK-së pati Agim Veliun, pra fushata u bë prej tyre.
Kjo do të thotë se në zgjedhjet lokale ndodh i njëjti send në shumicën dërrmuese të qytetarëve, të njëjtin send e kemi edhe në komunat e tjera. Shembull Mitrovicën, aty çka e penalizon Lëvizjen Vetëvendosje është vet kandidati për kryetar të Komunës, LVV ka një kandidat të keq, ndërsa PDK-ja ka një kandidat shumë të mirë.
Mirëpo, problemi është tek përkatësia e tyre partiake, ka gjasa që kandidati i keq të fitojë për shkak të përkatësisë partiake, ka gjasa që kandidati i mirë të humb për shkak të përkatësisë partiake”.
“E njëjta gjë ndodh edhe në Prizren edhe në Gjakovë. Edhe në Prishtinë është situatë pak e ngjashme, çka e kam e vërejtur në Prishtinë është se shumica e kandidateve të partive të tjera politike, ju vjen marre, nuk e përmendin askund përkatësinë partiake, kandidatët e LDK-së dhePDK-së i shmangen maksimalisht kësaj.
Faktikisht nuk ka ndryshim shumë të madh, në vitin 2002 kur i kemi pasur zgjedhjet e dyta lokale kur është votuar drejtpërdrejt për kandidat të Komunës së Prishtinës , Ismet Beqiri kishte dalë dhe ka thënë se ky është programi im, unë jam LDK dhe unë jam me Ibrahim Rugovën.
E njëta po na përsëritet tani në vitin 2021 në Prishtinë me kandidatin e LVV-së po i injoron, fyen dhe poshtëron qytetarët e Kosovës nuk po denjon me nxjerr asnjë program. Ai po del si Ismet Beqiri po thotë unë jam VV edhe Albin Kurti dhe pikë këta të tjerët le të nxjerrin programe unë e kam të sigurt fitoren”, ka thënë Gashi.