Shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupeve kriminale në veri

20:52 | 10 Dhjetor 2022

Policia e Kosovë ka njoftuar se njësitë e saj në veri të vendit janë sulmuar me armë zjarri nga grupe të armatosura.

Në vetëmbrojtje njësitë e Policisë janë detyruar të kundërpërgjigjen me armë zjarri ndaj personave të armatosur, të cilët janë larguar në drejtim të panjohur, njofton Policia.

“Nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut” – thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Policisë, njësitet policore në terren në disa lokacione të ndryshme kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Deri më tani nuk ka informacione për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara.

Tensionet në veri janë ngritur sot pasdite pasi grupe serbësh kanë bllokuar rrugët kryesore të zonës.

Bllokimi i rrugëve ka ndodhur pas njoftimit të Policisë së Kosovës se ka arrestuar Dejan Pantiqin, i dyshuar për organizim të veprave terroriste.

Pantiq është arrestuar për incidentet e 6 dhjetorit në veri, ku ka pasur gjuajtje me granata dore dhe armë zjarri ndaj zyreve dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj pjesëtarëve të Policisë.

Komento: