Shkëmbimi i zjarrit mes Sekiraqëve e Capave: Rreth 100 plumba janë shkrepur nga dy grupet

11:55 | 02 Shtator 2024

Familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë vazhduan ‘betejën’ të dielën mbrëma që përfundoi tragjikisht

.

Një konflikt me armë mes tyre në lagjen Aktash në Prishtinë la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën. Të plagosurit po ruhen në QKUK dhe tashmë Policia ka dalë me raport zyrtar, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Policia kanë bërë me dije se pesë personat e plagosur janë duke u trajtuar në QKUK, “nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore”.

Ndërkohë, Sinjali ka mësuar se nga dy grupet është gjuajtur me armë rreth 100 herë.

Salih Sekiraqa, Korab Gashi (vëllai i të vrarit Premtim Gashi), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar), janë të dyshuar për përfshirje në këtë incident tragjik, shkruan Sinjali.

Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe tashmë kanë nisur hetime intensive nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.”

Komento: