Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, ka shprehur shqetësimin se protestat aktuale të Policisë së Kosovës nuk janë në kohën e duhur. E, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka propozuar që organizatorët ta kthejnë presionin tek drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetari i Sindikatës së Policisë.
Shkodra ka deklaruar se kërkesat e Policisë së Kosovës nuk janë në kohën e duhur për shkak të situatës së sigurisë në vend.
Tutje ai ka theksuar se “projektbuxheti është finalizuar dhe tashmë jemi para aktit të kryer dhe në këtë fazë çdo presion i kësaj forme është i panevojshëm dhe nuk arrin qëllimet e veta”.
“Do të ishte e rrugës që të merren në konsideratë kërkesat e Policisë së Kosovës dhe të njëjtat do të ishte mirë që të zgjidheshin. Policia do të duhet të kishte më shumë mirëkuptim në rastin konkret sa i përket situatës së sigurisë ku gjendet vendi, por edhe Qeveria e Kosovës do të duhet t’i merr më seriozisht gjithë ato kërkesa që vijnë nga ana e tyre, por ndoshta nuk janë në kohën e duhur”, vijon ai.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala ka deklaruar se organizatorët duhet të reflektojnë dhe të kthejnë presionin tek drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetari i Sindikatës së Policisë, ku më pas ata do të drejtonin kërkesat e tyre drejt qeverisë.