‘’Me qeverisjen tonë, Shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm’’ kështu kishte deklaruar Albin Kurti, ditën kur ishte betuar si kryeministër i Kosovës, para deputetëve të Kuvendit dhe para popullit kosovar.
Ai kishte thënë se kjo do të ndodhte me praktikat dhe standardet më të mira të NATO-s.
‘’Në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak. Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes’’ ishte shprehur Kurti katër vite më parë.
Por, as pas katër viteve, si shumë premtime tjera, ky premtim ka mbetur vetëm në letrën e premtimeve të tij, me zë dhe figurë në arkivat mediale, por i pa zbatueshëm dhe i realizueshëm në të vërtetë.
Për shumë kë ishte i pamundur të realizohet kjo gjë edhe kur ishte premtuar e i pamundur duket edhe sot për të ndodhur edhe në të ardhmen, përkundër se për VV-në, është bërë një koncept-dokument, e që për ta do të thotë më shumë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Bekë Berisha: Shërbimi ushtarak si premtimi i Kurtit për bashkimin kombëtar, rrenë e kulluar
Deputeti i AAK-së njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, e konsideron mashtrim populist, premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
‘’Janë mashtrime populiste sikur bashkimi kombëtar i Kurtit edhe kjo ashtu diçka’’ thotë ai për FrontOnline.
Për Berishën, kjo gjë as nuk pritët të ndodhë dhe se është rrenë e kulluar.
‘’As nuk pritët më ndodhë as nuk do të ndodhë kjo është rrenë e kulluar’’ potencoj ai.
Deputeti i AAK-së, thotë se Qeveria Kurti edhe ata ushtarët e FSK-së i ka lënë pa ushqim, e lëre më të bëjnë ushtri të detyrueshme.
‘’Edhe ata ushtarë që i kemi i kanë lënë pa bukë e po bëjnë ushtri të detyrueshme nuk janë të zot me mbajte as këtë ushtri që e kemi’’ potencoj Berisha.
Dugolli: Kemi bërë një koncept-dokument e që është më shumë se shërbimi ushtarak, e kurorëzojmë me Qeverinë e ardhshme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, për FrontOnline, ka folur për premtimin e dhënë nga kryeministri Albin Kurti, se me Qeverinë e tij, do të bëhet shërbimi ushtarak do të bëhet i obligueshëm.
‘’Fokusi kryesor i yni ka qenë përshpejtimi i përmbushjes së kapaciteteve planit gjithëpërfshirës, shkurtimi i afateve dhe këtë e kemi arritur suksesshëm sepse në shumë sfera veç pse e kemi tejkaluar’’ thotë ai.
Dugolli, potencon se është hartuar dhe miratuar një koncept dokument për mbrojtën e që për të është më shumë se sa shërbimi i obligueshëm ushtarak.
‘’Është hartuar e miratuar koncept dokumenti për mbrojtjen totale, koncept i cili është më shumë se sa shërbimi i obligueshëm ushtarak i cili nuk e përjashton as këtë i cili i mbulon të gjitha aspektet e sigurisë, synon ti angazhon të gjithë faktorët relevant të shoqërisë tonë nga shkollat, institucionet shoqërinë civile etj’’ tha ai.
Deputeti i VV-së, shprehet se pas koncept dokumentit do të fillohet me grupe punuese për hartimin e ligjit.
‘’Tash pritet të fillohet me grupe punuese për hartimin e ligjit i cili do të ndikoj me një mori ligjesh tjera që duhet plotësuar e ndryshuar’’, potencoi Dugolli.
Ai shprehet i bindur, se në mandatin tjetër qeverisës, do të kurorëzohet kjo gjë.
‘’Besoj që në mandatin tjetër që padyshim që jemi ne në Qeveri, do të kurorëzohet ky koncept dokument me ligje të mira të cilat e bëjnë më të sigurt e të vendosur këtë synimin tonë që të kemi investime sa më të mëdha në mbrojtje dhe siguri’’ u shpreh Dugolli për FrontOnline.
Berisha: Ideja e Kurtit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ishte për ta shkatërruar shtetin e Kosovës
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, ka folur për premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Për të ky premtim, ka qenë tendencë për ta minuar krijimin e FSK-së në ushtri profesionale.
‘’Shërbimi i detyrueshëm ushtarak sipas zhvillimeve të më tutje ka qenë një tendencë për ta minuar krijimin e forcave të armatosura si ushtri profesioniste. Duke e bazuar në rreziqet që e kërcënojnë sigurinë nacionale të Kosovës kemi ardh në përfundim se vendit i duhet një ushtri profesioniste jo ushtar të detyrimit të detyrueshëm që janë për disa muaj’’ thotë ai.
Berisha, thotë se ideja e Kurtit, ka qenë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës.
‘’Ideja e Kurtit, pjesa e agjendës së tij ka qenë për të shkatërruar shtetin e Kosovës segmenti i fundit që po përmbyllke këtë mozaik ishte forcat e armatosura, për fat të mirë nuk ka gjet zbatim kjo për shërbimin e detyrueshëm sepse asnjëri nga ministrat e dinë që nuk mund të aplikohet një gjë e tillë në Kosovë’’ potencon ai.
Deputeti i PDK-së, deklaron se kjo ka qenë kauzë mashturese për tv fituar votën e qytetarëve.
‘’Kauzë mashtruese për të fituar votën e qytetarëve ata nuk e dinë konceptin e ushtrisë profesioniste dhe asaj të ushtrimit të detyrueshëm që janë jo fiktive dhe jo efikase në luftë ose në një situatë të tensionuar’’ u shpreh Berisha për FrontOnline.
Elezi: Nuk kam besuar tek pretimi i Kurtit për shërbimin ushtarak të detyrueshëm, nuk bëri asgjë në këtë drejtim
Njohësi i Çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi për Front Online, thotë se nuk ka besuar në premtimin e kryeministrit Albin Kurti për realizimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
‘’Nuk kemi besuar në premtimin e Kurtit se të gjitha faktet që kriteret që i ka përcaktuar NATO për shtetet që janë anëtar duke ju referuar standardet atyre standardeve që NATO i kërkon e dimë që çështja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm Kosova ka disa detyra për t’i kryer që kërkon NATO’’ tha ai.
Ai thotë se përkundër premtimit të dhënë Kurti nuk ka marr asnjë veprim që ka të bëjë me këtë çështje,
‘’Kurti krahas premtimit elektorat që e ka bërë nuk e ka marr asnjë veprim që ka të bëjë me pako financiare të cilat janë konform namativave që kanë të bëjnë me obligimet financiare që ka ushtria për qytetarët që kanë një shërbim të detyrueshëm ushtarak’’ potencoj Elezi.
Elezi, ka treguar se si duhet rregulluar disa gjëra, që dërgojnë deri tek ajo që shërbimi ushtarak të bëhet i detyrueshëm.
‘’Duhet t rregullojmë ligjin për punësim që qytetarët që shkojnë për ushtrim luftarak të detyruar sa do të ketë mundësi t’i ruhet vendi i punës, arsimimin çështjet për sigurimet shëndetësore. Ky ka qenë premtim për t’i fituar votat e qytetarëve. Statusi juridik i FSK duhet të ndryshoj sepse ka disa angazhime të cilat janë të kufizuara në bazë të ligjit sepse ka disa angazhime të cilat janë të kufizuara’’ potencoj Elezi.