Shkoi në spital me të vjella, vdes 23-vjeçarja shqiptare në Itali

17:38 | 26 January 2025
shkoi-ne-spital-me-te-vjella,-vde*s-23-vjecarja-shqiptare-ne-itali

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar por edhe atë italian në Padova, Itali. Ariana Herri, 23 vjeçe, një vajzë shqiptare me ëndrra dhe plane për të ardhmen, ka ndërruar jetë në spitalin e Padovës si pasojë e miokarditit fulminant.

Sipas mediave italiane, gjithçka nisi me simptoma të lehta si kolla dhe ftohja, të shfaqura pas pjesëmarrjes në mbrëmjen tradicionale të Panevin në Maserada. Situata shëndetësore e saj u përkeqësua ditë pas dite, duke shfaqur vështirësi në ushqyerje dhe të vjella të vazhdueshme. Kjo detyroi familjen e saj ta transportonte me urgjencë në spital.

Fillimisht e shtruar në Ca’ Foncello në Treviso dhe më pas në spitalin e Padovës, Ariana iu nënshtrua kujdesit intensiv, por pavarësisht përpjekjeve maksimale të mjekëve, jeta e saj nuk mundi të shpëtohej.

Muajt e fundit, e reja kishte kaluar një periudhë të vështirë, duke përjetuar sulme paniku dhe takikardi, të cilat lidheshin me një moment delikat pas përfundimit të një lidhjeje. Ariana kishte ëndërr të bëhej estetiste dhe punonte si banakiere në Maserada.

Autopsia, e cila është kryer sot, pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet e sakta të kësaj tragjedie.

Ceremonia e lamtumirës do të mbahet të hënën, më 27 janar, në orën 15:00, në varrezat komunale të Maseradës, ku familjarë, miq dhe bashkëqytetarë do t’i japin nderimin e fundit.

 

Komento: