Shkollat gati për fillimin e procesit mësimor, shqetësim çështja e teksteve shkollore

12:18 | 31 Gusht 2023
shkollat-gati-per-fillimin-e-procesit-mesimor,-shqetesim-ceshtja-e-teksteve-shkollore

Nesër në Kosovë edhe zyrtarisht do të nis viti i ri shkollor.

Por, për dallim prej herëve të tjera, ky vit do të nis më ndryshe sa i përket furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.

Kjo, për shkak se Ministria e Arsimit ka marrë vendim që këtë vit t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat, shkruan Front Online.

Për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro.

Për krejt këtë proces për Front Online ka folur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Ai, ka treguar se mësimi do të fillojë nesër dhe se shkollat janë përgatitur.

“Shkollat brenda mundësive kanë bërë përgatitjet teknike, DKA-të kanë bërë përgatitjet e tyre bashkë me shkollat”, ka thënë ai për Front Online.

Por, shqetësim për të mbetet çështja e teksteve shkollore.

Madje, ka treguar se ka disa komuna që nuk kanë fare librari dhe se ky do të jetë edhe një problem tjetër.

“Shqetësim mbetet çështja e teksteve shkollore, ndërsa sa i takon ditës së nesërme unë konsideroj se kjo ditë do të jetë pak në atë frymën solemne, mirëpo nga e hëna pastaj do të vërehen telashet ngase si duket vështirë se do të arrihet për një kohë të shkurtë të furnizohen nxënësit me tekste ngase ky veprim i MASHT-it është gogja i çuditshëm dhe sa bisedova edhe me një koleg nga Klina dhe ky qytet nuk ka fare librari dhe prindërit pastaj duhet të shkojnë në Pejë dhe do të krijohen pritje të gjata para librarive”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

Jasharaj ka frikë se do të kalojë kohë e gjatë dhe nxënësit do të mbesin pa libra.

Dhe, këtë e thotë për shkak se prindërit do të presin për t’i marrë paratë.

“Kam frikë se dy javë së paku do të kemi telashe në këtë aspekt dhe mësimdhënësit do të jenë në stres sepse e kanë vështirë të shpjegojnë njësitë e planifikuara për këtë vit, ngase nxënësit një pjesë e tyre do të vonohen, nuk do të kenë tekste me kohë dhe krejt kjo ka mund të mos ndodhë sikur të vazhdojë sikur vitet e kaluar që Qeveria gjegjësisht MASHT-i të merret vesh me shtëpitë botuese me kohë, është dashtë që në muajin prill të kryhet kjo punë dhe është dashtë që në javën e parë apo të dytë të gushtit të jenë tekstet në shkolla për klasat 1-5”, ka shtuar Jasharaj.

Qeveria e Kosovës dje ka ndarë afër 13 milionë për tekste shkollore dhe materiale tjera për nxënësit.

E, për këtë shumë Jasharaj ka thënë se është dashtë të ndahet më herët e jo tash.

Jasharaj deklaron se vendimi i Ministrisë për çështjen e librave kinse për ruajtje të buxhetit nuk qëndron.

“Mirë që është nda buxheti, por buxheti është dashtë të ndahet në prill në mënyrë që znj.Nagavci bashkë me ekipin e saj të bëjnë biseda me shtëpitë botuese me kohë, sepse deklarimi se po ruhet buxheti sepse shtëpitë botuese paskan ngritë çmimet nuk qëndron ngase ato shtëpi botuese tash tekste e njëjta më çmime të tilla, madje çmimet do të ngritën sepse edhe libraritë do të kërkojnë atë pjesën e vet të shërbimit”, është shprehur ndër të tjera ai.

Nga viti 2008, MASHTI i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore./Front Online

 

Komento: