Rritet numëri i viktimave.
Zyrtarët e emergjencave në Indonezi thanë të premten se numri i personave që humbën jetën nga vërshimet në kryeqytetin e këtij vendi, Xhakarta, ka shkuar në 47.
Xhakarta këtë javë u përfshi nga reshjet më të mëdha sezonale të shiut në dekadën e fundit, duke bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe t’i vërshojnë së paku 182 lagje. Disa njerëz janë ngujuar nga rrëshqitjet e dheut në zonat periferike të qytetit.
Një zyrtar i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se rreth 400 mijë njerëz kanë kërkuar strehim në qytetin metropolitan pasi niveli ujit të vërshimeve në disa pjesë ka shkuar në 5.8 metra.
Rritja e nivelit të detit dhe moti ekstrem, të ndikuar nga ngrohja globale, po paraqesin kërcënim për qytetin me 30 milionë banorë. Xhakarta tashmë vlerësohet si qyteti që vërshohet më së shpejti në botë.
Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka thënë se kryeqyteti i vendit në dhjetë vjetët e ardhshëm do të caktohet në një vend tjetër për shkak të ngarkesës së madhe të Xhakartës me popullsi, transmeton Express.
Kjo është shifra më e lartë e viktimave nga vërshimet që nga viti 2013, kur 57 persona kishin humbur jetën në kryeqytet për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve, shkruan “The Guardian”.