Shkuan për pushime në Francë, çifti britanik gjendet i vdekur në pishinën e vilës

11:20 | 02 Gusht 2022

Një çift i moshuar britanik u gjet i vdekur nga disa miq.

Dyshja e paidentifikuar, që besohet se janë rreth moshës 80 vjeçare, kishin ftuar fqinjët në vilën e tyre në Gignac, Herault, në jug të Francës të shtunën mbrëma. Por kur të ftuarit trokitën në derë para orës 20:00, askush nuk u përgjigj.

Ata më pas e gjetën çiftin në pishinë, raporton gazeta La Depeche, transmeton Klankosova.

Mjekët u thirrën në vendngjarje, por nuk arritën t’i shpëtonin.

Ekipet mjeko-ligjore thanë se nuk kanë parë ende asgjë për të treguar se vdekjet ishin të dyshimta, por një hetim është nisur dhe është urdhëruar një autopsi.

Dyshohet se tragjedia ka qenë një aksident.

Një burim tha: “Nuk përjashtohet mundësia që njëri prej bashkëshortëve të ketë qenë dëshmitar i mbytjes së tjetrit dhe më pas i ka ardhur në ndihmë dhe janë fundosur bashkë”.

Kryebashkiaku i Gignac tha se çifti ishin ‘njerëz shumë të mirë’ që vizituan qytetin disa herë gjatë vitit.

Komento: