Shkurtohet lista e pritjes për rezonancë magnetike, tani është “vetëm një muaj e gjysmë”

12:36 | 23 Qershor 2024
shkurtohet-lista-e-pritjes-per-rezonance-magnetike,-tani-eshte-“vetem-nje-muaj-e-gjysme”

Lista e pritjes për pacientët që kanë nevojë për ekzaminime me rezonancë magnetike, është rishikuar dhe shkurtuar në “vetëm një muaj e gjysmë” ka deklaruar drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza. Sipas saj, para dy vitesh pacientët është dashur të presin deri në 13 muaj.

Nuza ka thënë se si Klinikë janë duke u ballafaquar edhe me aparatura të vjetra, të cilat kanë pasur edhe defekte, por sipas saj, tashmë janë rregulluar.

Nuza ka thënë se për pacientët që kanë nevojë për ekzaminime me ultrazë lista e pritjes është deri në tri javë, ndërsa ekzaminimet me CT, lista e pritjes është deri në dy javë.

“Duhet të kemi të qartë se pacientët spitalorë asnjëherë nuk presin. Për ekzaminimet me rëntgen asnjëherë nuk ka ekzistuar listë e pritjes; për ekzaminimet me ultrazë listën e pritjes e kemi diku brenda dy deri në tri javë, për arsye se kërkesat janë të vazhdueshme. Kërkesa shumë të mëdha kemi edhe prej mjekësisë primare për ekzaminime me CT. Dihet se Klinika e Radiologjisë punon me tre aparate të CT-së, tri janë paradite, ndërsa dy janë 24 orë, njëra pranë spitalit të fëmijëve, dhe CT-ja e emergjencës që punon 24 orë, lista e pritjes për CT është dy javë. Listë të pritjes, nëse do ta quajmë listë të pritjes për krahasim me listat e pritjes së përparme me rezonancë magnetike për rastet e ftohta, për rastet që presin është fundi i muajit korrik. Do të thotë është një muaj e gjysmë lista e pritjes për ekzaminime me rezonancë magnetike për rastet e ftohta”.

“Ndërsa për rastet onkologjike gjithmonë siç e kemi cekur edhe më herët planifikohen sipas kërkesave të onkologut; do të thotë nëse onkologu dëshiron që kjo të bëhet  pas dy jave do t’i krijohet hapësira, nëse e kërkon pas tre muajve ne duhet të krijojmë një listë të re, listat e pacientëve onkologjikë janë lista të planifikuara. Për rastet emergjente punon 24 orë rezonanca magnetike”, ka bërë të ditur drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë.

“Lista e pritjes për gjithë pacientët pa dallim ka qenë 13 muaj para dy viteve. Pastaj puna kryesore ka qenë revidimi i listave të pritjes dhe puna e parë që është bërë u janë gjetur vendet dhe u janë krijuar hapësirat për pacientët onkologjikë, pastaj edhe për rastet e tjera. Pacientët spitalorë asnjë herë nuk presin”, ka thënë ajo.

Nuza në këtë intervistë ka treguar edhe numrin e shërbimeve që kjo klinikë ka ofruar për pesë muajt e parë të këtij viti.

“Në raportin e fundit pesëmujor, ka një numër të madh të shërbimeve të cilat kryhen prej të cilëve me rëntgën-radiografi janë kryer gjithsej 32 mijë 460 pacientë; ekzaminime me CT kemi 13 mijë e 422 pacientë; rezonanca magnetike për pesëmujor janë 5 mijë e 734 pacientë; ekzaminime me mamografi në pesëmujor janë 760 pacientë; ekzaminime me ultrazë i kemi 10 mijë e 832 ekzaminime, kjo përfshin edhe ndërrimin e paradites dhe me kujdestari. Ekzaminime me CT angiografi janë rreth 700 pacientë; ekzaminime intervente endovaskulare janë 38 pacientë; ekzaminime me biopsi – kjo përfshin biopsinë pjesën jovaskulare që është 505 pacientë në pesë muaj, ekzaminime me trombektomi janë kryer gjithsej 6 pacientë dhe biopsi të gjirit janë kryer në 97 pacientë”, ka treguar Nuza.

Drejtoresha e Radiologjisë ka thënë se si klinikë kanë aparatura të vjetra, shumica e të cilave janë rregulluar. Aktualisht jashtë funksioni kanë CT-në e cila gjendet në Klinikën e Neurologjisë.

Ajo ka shtuar se së shpejti kësaj klinike do t’i shtohet edhe një CT e cila është donacion i Ambasadës Amerikane dhe do të shfrytëzohet nga Emergjenca.

Derisa në klinika të tjera një problem që theksohet vitet e fundit është ikja e punonjësve shëndetësorë, sidomos e infermierëve, Nuza thotë de në Radiologji nuk e kanë këtë preokupim.

“Në Klinikën e Radiologjisë vetëm një teknike, për çështje familjare, ka dhënë dorëheqje. Për momentin ende nuk ka dikush që ka kërkuar një pëlqim për punësim jashtë shtetit”, ka thënë drejtoresha Nuza./EO

Komento: