Shokët e skuadrës me deklaratë ‘bombastike’ për Milot Rashicën

17:45 | 04 Prill 2019

Në ndeshjen kundër Schalkes, Milot Rashica ka shënuar një gol spektakolar.

Kjo i ndihmoi Werder Bremenit të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.

Ylli i Kombëtares së Kosovës e mbështeti pohimin se është njeriu më në formë i Bremenit këtë vit, duke e realizuar golin e nëntë në vitin 2019, kur e bombardoi portën e Nubel në minutën e 65-të për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi, raporton Gazeta Express.

Davy Klassen e dyfishoi epërsinë e Bremenit rreth njëzet minuta para fundit, duke e eliminuar Schalken në çerekfinale të DFB Pokal.

Pas ndeshjes, Max Kruse dhe Frank Baumann, kishin vetëm fjalë të mira për Milot Rashicën.

“Se Miloti ka goditje të fortë, kjo tashmë dihet, edhe pse nganjëherë nuk i realizohet dhe topi përfundon diku tjetër në stadium. Nëse godet sikur kjo, portieri s’ka shanse. Shumë mirë që funksionoi sot”, tha mbrëmë pas ndeshjes Max Kruse.

“Me veprimin e tij, ai ktheu lojën në favorin tonë. Ishte një goditje e shkëlqyeshme, natyrisht. Është mbresëlënëse se si po luan ai. Jemi shumë të lumtur që është me ne. Unë nuk mund të shutoj aq shumë, kjo është pse e lë atë gjithmonë. Miloti tani ka më shumë vetëbesim, kështu që jemi të lumtur që ai shënoi këtë gol përrallor”, deklaroi Frank Baumann.

Anësori i Kosovës tani ka dy gola në tri paraqitje për Bremenin në kupë, derisa në total i ka realizuar nëntë gola në 11 paraqitje në të gjitha garat këtë vit.

Komento: