Shokon Gramoz Berisha: Pas 27 vitesh gjenë në trup plumbin nga masakra e Suharekës

10:10 | 17 Shkurt 2026
shokon-gramoz-berisha:-pas-27-vitesh-gjene-ne-trup-plumbin-nga-masakra-e-suharekes

Gramoz Berisha ka ndarë një rrëfim tronditës në prag të 17 shkurtit, duke rikujtuar masakrën e Suharekës ku ai humbi 49 anëtarë të familjes së tij.

Ai tregon se 27 vite më parë, bashkë me nënën Vjollca dhe Shyhretën, arritën të kërcenin nga kamioni ku ishin hedhur bashkë me trupat e familjarëve. Ishte i plagosur në krahun e majtë dhe, falë asaj plage, u shtir si i vdekur për të shpëtuar.

“Të tjerët shkuan me kamion. Kishte edhe të gjallë brenda”, rrëfen ai, duke kujtuar se mes viktimave ishin edhe motra Dafina, vëllai Driloni dhe babai Sedat.

Për vite me radhë ishte trajtuar për plagën, ndërsa mjekët i kishin thënë se plumbi nuk ndodhej më në trupin e tij. Por tre muaj më parë, pasi ndjeu dhimbje në krahun e djathtë dhe kreu ekzaminime në Shtutgart, mjekët zbuluan se plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin pa prekur organe vitale.

“Ein Wunder”, e cilësuan ata rastin.

“Paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta – që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundon ai.

Me këtë postim ai ka uruar 17 Shkurtin ditën e pavarësisë./Gazeta10

Komento: