Sholtes thotë se BE ‘tradhtoi’ kosovarët për liberalizimin e vizave – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Sholtes thotë se BE ‘tradhtoi’ kosovarët për liberalizimin e vizave

13:15 | 30 Janar 2019

Igor Sholtes thotë se Kosova i përmbushi të gjitha kriteret për viza, por sipas tij, BE nuk e përmbushi premtimin.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, ndërsa ka theksuar se qytetarëve të Kosovës u është dhënë një premtim se pas përmbushjes së këtyre kushteve do të udhëtojnë pa viza, por se i njëjti premtim nuk është mbajtur.

Sholtes, në një intervistë për “europeaninterest”, tha se liberalizimi i vizave nuk e ndihmon drejt shmangies së izolimit vetëm Kosovën, por tërë rajonin.

“Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku ekziston ende kërkesa për viza. Kosova i përmbushi dy kushte të rëndësishme të ngritura nga Komisioni Evropian – lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të dytin, demarkacionin kufitar me Malin e Zi. Ky kushti i dytë ishte çështje e ndjeshme. Dhe më pas, siç kam thënë, nuk ndodhi asgjë. Dhe tani njerëzit në Kosovë ndihen të dëshpëruar, ata besojnë se vendi i tyre nuk e meriton këtë. Me këtë ju japim një shembull se sa problematike mund të jetë kur ju premtoni diçka, dhe nuk e mbani premtimin”, tha Sholtes, transmeton Koha. net.

Ai shtoi se Parlamenti Evropian e po ashtu edhe Komisioni Evropian kanë qëndrim pozitiv për sa i përket liberalizimit të vizave, por thekson se vendimi përfundimtar varet nga Këshilli i Evropës.

“Po flasim vetëm për liberalizim vizash, proces i cili nuk do ta ndihmonte vetëm Kosovën por tërë rajonin që t’i shmanget izolimit”, theksoi ai.

Tutje, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, tha se në raportin Kosovë-Serbi ka ende çështje të vështira.

“Krijimi i Kosovës ka hapur shumë kapituj. Por ky është një test për BE-në për të parë se sa mirë e njeh Ballkanin. Sepse Bosnja e Hercegovina paraqet po ashtu një problem pasi që është një shtet me regjim specifik dhe nacionalizmi boshnjak është në rritje”, theksoi ai.

Komento: