
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm u ka kërkuar partive nënshkrimin e deklaratës së zotimeve.
Kjo me qëllimin që të forcohet shërbimi i jashtëm, e të përmirësohen kushtet.
Komunikata:
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës
Komunikatë për Media
Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm fton subjektet politike që të mbështesin propozimin e saj, respektivisht tekstin e propozuar të “Deklaratës së Zotimeve”, si iniciative dhe kontribut i nevojshëm për fuqizimin e mëtutjeshëm të diplomacisë kosovare. Shoqata konsideron që me hyrjen e vendit në fazën zgjedhore – një proces thelbësor për funksionimin demokratik – Shoqata e Shërbimit të Jashtëm vlerëson se është moment i përshtatshëm që çështjet që lidhen me burimet njerëzore, kapacitetet profesionale dhe strukturat institucionale të diplomacisë kosovare të marrin vëmendje të veçantë në programet dhe fushatën garuese zgjedhore të subjekteve politike. Diplomacia dhe politika e jashtme tradicionalisht kanë qenë prioritare për të gjitha qeveritë, dhe Shoqata beson se ky orientim do të vazhdojë edhe në ciklin e ardhshëm qeverisës. Në këtë kuadër, Shoqata u drejtohet të gjitha subjekteve garuese politike me propozimin, respektivisht dokumentin e strukturuar të “Deklaratës së Zotimeve”, i cili përmban masat dhe zotimet themelore që ne i konsiderojmë të domosdoshme për forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Jashtëm, modernizimin e kuadrit ligjor dhe përmirësimin e kushteve të punës së anëtarëve të shërbimit diplomatik.
Pikat kyçe të Deklaratës së Zotimeve, të propozuara për t’u përfshirë në programet qeverisëse 2026–2029, janë:
1. Brenda gjashtë muajve të parë të mandatit, plotësimi dhe ndryshimi i legjislacionit primar në fushën e politikës së jashtme dhe organizimit ministror;
2. Gjatë vitit 2026, harmonizimi dhe finalizimi i tërësisë së kuadrit ligjor të shërbimit të jashtëm.
3. Rritja e koeficientit të pagës për anëtarët e Shërbimit të Jashtëm dhe forcimi i skemës së trajtimit financiar.
4. Instalimi i parimit të pagesës afirmative, për të garantuar që anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të gëzojnë trajtim të dinjitetshëm dhe meritor pavarësisht pozitës së brendshme zyrtare apo administrative në kuadër të procesit të sistemimit, proces ky i lidhur pashkëputshëm me rotacionin. Njëkohësisht afirmimi i praktikës që në pozitat menaxheriale të vendosen profilet me kapacitet diplomatik dhe menaxherial.
5. Krijimi i partneritetit me ofrues ndërkombëtar të sigurimeve shëndetësore dhe ndërtimi i një pakete të unifikuar shëndetësore ndërkombëtare – një praktikë standarde në shumicën e shërbimeve diplomatike të rajonit dhe më gjerë.
6. Pajisja me gradë e të gjithë atyre punonjësve që për vite kanë mbetur pa të, dhe sigurimi i ngritjeve në gradë për të gjithë ata që plotësojnë kriteret ligjore dhe të performancës.
7. Themelimi i pozicionit të Inspektorit Diplomatik, një mekanizëm i njohur në shërbime diplomatike me traditë (si “Inspector General” në SHBA apo modelet e inspektorateve diplomatike në BE), për garantimin e mbikëqyrjes së brendshme dhe respektimit të standardeve profesionale në kuadër të menaxhimit me burime njerëzore profesionale, dhe në përgjithësi.
8. Sigurimi i hapësirave të reja dhe adekuate të punës, përfshirë ridizajnimin modern të hapësirave të brendshme të MPJD-së, në përputhje me praktikat bashkohore të vendeve perëndimore, të cilat plotësojnë edhe karakterin estetik dhe atë protokollar.
9. Reformimi i skemës së emërimit të shefave të misioneve, nga raporti aktual 50%–50%, në një raport 30%–70%, në favor të diplomatëve të karrierës.
10. Afirmimi i skemave të ‘lifelong learning’, inovacionit, shkëputjes së përkohshme nga shërbimi me mundësi të garantuar ligjore rikthimi, inkurajimi i pjesëmarrjes në programe shkëmbimi, si dhe pjesëmarrja aktive në aktivitete të edukimit të hershëm me qëllim inkurajimin e të rinjve në fushën e ndjekjes së profesionit dhe artit të diplomacisë.
Shoqata thekson se këto propozime kanë karakter krejtësisht institucional, zhvillimor dhe profesional, dhe nuk synojnë adresim kritik ndaj asnjë qeverie të kaluar apo aktuale; ato synojnë të ndërtojnë kapacitetet e Shërbimit të Jashtëm në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Në funksion të pasurimit të diskursit publik dhe institucional, shoqata mirëpret dhe pret me interes përfshirjen e subjekteve politike në këtë propozim, gjatë kësaj fushate, si dhe propozon organizimin e takimeve të veçanta elaboruese me secilin subjekt, për të diskutuar në detaje Deklaratën e Zotimeve, për të sqaruar aspektet teknike dhe për të dëgjuar propozimet e tyre plotësuese.
Besojmë se përkushtimi i përbashkët për një diplomaci më funksionale, më profesionale dhe më moderne është në interes të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Fatmir Haxholli – Kryetar
Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm (SHSAShJ)
Rr. Luan Haradinaj, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës,
Email: [email protected]