Masat për rritjen e cilësisë së naftës pengohen nga Shoqata e Naftarëve, Hoti u del në krah.
Shoqata e Naftëtarëve është duke kundërshtuar një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i cili ka për qëllim vendosjen e masave për kontrollin e cilësisë së naftës në Kosovë. Siç duket, Shoqata po dëshiron të vazhdojë avazin e deritanishëm të mungesës së kontrollës dhe vazhdimin e manipulimit me cilësinë e naftës dhe evazionit fiskal.
Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së së Kosovës vitin e kaluar ka kryer auditimin e performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”.
Ky raport konkludon se “Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm” si dhe “cilësia e derivateve të naftës në tregun e brendshëm nuk është siguruar në nivelin e duhur.”
Ky raport kritikon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që ka lejuar qarkullimin e derivateve te naftës në tregun e brendshëm pa cilësinë e duhur dhe thekson mungesën e nevojshme të testimeve, monitorimit adekuat si dhe shkelje të tjera.
Raporti i plotë i Auditorit:
Sistemi-i-kontrollit-dhe-monitorimit-te-cilësisë-se-derivateve.pdf
Mirëpo, përpjekjet e MTI-së po i pengojnë Shoqatës së Naftëtarëve e cila i ka kërkuar Kryeministrit Hoti t’i pezulloj udhëzimet administrative të ministrisë, që synojnë të rregullojnë cilësinë e naftës në tregun e Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bazë të praktikave më të mira Evropiane ka nxjerr një udhëzim administrativ për të adresuar të gjeturat e auditorit si dhe për të vendosur një sistem të mirëfilltë të kontrollit të cilësisë së derivateve. Përpjekjet e MTI-së bëhen me qëllim për të mbrojtur konsumatorin, krijimin e transparencës në treg për të gjithë operatorët ekonomik, mbrojtjen e mjedisit si dhe shmangien e praktikave abuzuese qe ndodh sot në treg në formën e kontrabandës, përzierjes, hollimit, nën-deklarimit apo mos-deklarimit, diversionit dhe shmangies së obligimeve tarifore në tregun e naftës.
Shoqata e Naftëtarëve ka kërkuar që kontrolli i cilësisë së naftës të mos kalojë tek Inspektorati i MTI-së, edhe pse Inspektorati ka mandat ligjor për të kryer këtë punë, por të kryhet nga Dogana. Duke pasë parasysh të gjeturat e auditorit në vitin 2019 se në Kosovë mungon cilësia e naftës, atëherë një konkluzion logjik është se deri tani Shoqata e Naftëtarëve dhe Doganat kanë qenë duke bashkëpunuar në dëm të interesit qytetar, mjedisit si dhe buxhetit të shtetit. Ky lloj korrupsioni në Doganat e Kosovës me sa duket i konvenon Shoqatës së Naftëtarëve dhe është indikator i qartë se pse preferojnë që Dogana të kryej kontrollin e cilësisë.
Dilema në gjithë këtë zhvillim është se cili do të jetë vendimi i Kryeministrit Hoti. A do ti mbrojë Kryeministri interesin publik si dhe buxhetin e shtetit, apo do ti shërbej interesave të Shoqatës së Naftëtarëve duke plotësuar dëshirat e tyre për të vazhduar me praktikat korruptive që rezultojnë me cilësi jo të duhur të naftës në Kosovë.
Shoqata e Naftëtarëve tashmë ka bërë publike se ka pas dy takime me Kryeministrin Hoti dhe e kanë falënderuar për mbështetjen ‘reale.’ Me sa duket Kryeministri Hoti është duke bashkëpunuar me Shoqatën e Naftëtarëve për të ndaluar përpjekjet që kanë për synim ti japin fund korrupsionit dhe manipulimit me cilësinë e naftës.
VIDEO ku shoqata e naftërave njofton se ka pezulluar protestën pas përkrahjes që kanë marrë nga Hoti për shfuqizimin e neneve në kuadër të masave të MTI-së.