Shoqata e Naftëtarëve kundër kufizimeve të MINT-it, Berjani: Ndryshojeni menjëherë vendimin, përndryshe do të ketë protesta

13:35 | 06 Prill 2026
shoqata-e-naftetareve-kunder-kufizimeve-te-mint-it,-berjani:-ndryshojeni-menjehere-vendimin,-perndryshe-do-te-kete-protesta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se për datën 6 prill 2026 çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës mbeten të pandryshuara. Sipas vendimit, çmimi i dizelit është 1.86 euro për litër, ndërsa benzina 1.49 euro për litër.

Pas këtij vendimi ka reaguar kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili  në prononcim për Gazeta10  kundërshtoi ashpër një vendim të tillë.

Berjani ka deklaruar se çmimet aktuale në treg janë rreth 1.86 euro për dizelin dhe 1.44 euro për benzinën, ndërsa ka theksuar se çmimi i importit për dizelin është po ashtu 1.86 euro për litër.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë është duke u respektuar nga operatorët, por është i gabuar dhe i dëmshëm për bizneset. Ai paralajmëron se disa pika të karburanteve mund të përballen me falimentim, pasi po detyrohen të blejnë dhe të shesin dizelin me të njëjtin çmim, pa asnjë hapësirë fitimi.

“Askund në botë nuk ndodhin zhvillime të tilla, ku bizneset detyrohen të furnizohen dhe të shesin me të njëjtin çmim”, ka deklaruar Berjani.

Ai shtoi se Shoqata e Naftëtarëve ka kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të vendimit, ndërsa ka paralajmëruar se në të kundërtën, opsioni i vetëm i mbetur është organizimi i protestave.

Komento: