Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës e quan skandaloz vendimin për vendosjen e çmimit tavan të naftës

17:19 | 08 Tetor 2022

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, pas vendosjes së çmimit tavan të naftës kanë thënë se është vendim skandaloz.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka reaguar pas vendosjes së cmimit tavan të naftës, duke e quajtur si vendim skandaloz.

Berjani tha se çmimi shitës është nën atë blerës, duke bërë që kompanitë të operojnë me humbje, andaj, sipas tij, qeveria duhet të ndërmarrë masa.

“Ndërmerrni masa…Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për naftë, sot është: 1.75 euro, dje ishte: 1.68 euro, ndërsa pardje: 1.66 euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për nafte është:1.67 euro. Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje trashanike”, ka thënë Berjani.

Sipas tij shumë shpejt, shumë kompani do të falimentojmë, për shkak të, siç thotë ai, qasjes së gabuar të qeverisë në vendosjen e çmimit tavan.

“Kjo praktikë sigurt do t’i falimentojë shumë kompani dhe me mijëra punëtorë do të mbesin pa punë. Sinqerisht ju lutemi që të ndërroni këtë praktikë, si gjithnjë jemi të hapur të diskutojmë për modalitetin më të përshtatshëm për rregullim të çmimeve, duke u bazuar në analiza të mirëfillta”, ka shtuar ai.

Komento: