Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, për FrontOnline, është prononcuar në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në SHBA dhe pozicionin e politikës kosovare në këto zgjedhje.
Ai thotë se nuk duhet të ketë anime partiake mbi zgjedhjet në SHBA.
‘’Nuk duhet asnjë institucion e as ne të kemi anime partiake për SHBA-të’’ thotë ai.
Rexhepi deklaron po ashtu se të dyja partitë politike në SHBA kanë kontribuar shumë për Kosovën.
‘’Dy partitë politike kanë kontribuar shumë për çështjen e Kosovës’’ thekson ai.
Për të animet politike mbi këto zgjedhje nuk guxojnë dhe nuk janë të mira as për individët e as për partitë politike në Kosovë.
‘’Animet nuk guxojnë të jenë nuk janë të mira as për individët e as për shtetin. Kemi të bëjmë me një shtet aleat që edhe republikanët dhe demokratët kanë bërë shumë për Kosovën’’ shprehet Rexhepi për FrontOnline.
Kurti mbledhë mend nga e kaluara, nuk pozicionohet për zgjedhjet në SHBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media është pyetur për zgjedhjet në SHBA dhe nëse do të përkrah kandidaten demokrate, Kamala Harris, siç kishte bërë në zgjedhjet para këtyre me presidentin Joe Biden.
Kurti ka thënë se i kryeministër i Republikës së Kosovës bashkëpunon me të gjithë udhëheqësit e të gjitha shteteve nga parti të ndryshme, derisa ka shtuar se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është social-demokrat dhe demokrat.
“Unë tash jam kryeministër i Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve nga të gjitha anët e spektrit politik, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Si kryetar i VV-së, jam social-demokrat, jam demokrat dhe s’kam asgjë të re të shtoj. Marr pjesë në të gjitha konferencat, samitet e partive simotra, edhe në Evropë edhe në botë. Edhe të partive të tjera, sic ishte ajo në Chickago në SHBA”, ka thënë Kurti.