Premtimet e Veselit për korrupsionin shihen si të parealizueshme nga shoqëria civile.
Dy vjet qeverisi me vendin bashkë me AAK-në, Nismën e AKR-në, por PDK-ja nuk mori asnjë veprim për krijimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, që ishte zotim në programin qeverisës.
Edhe pse kjo parti ka udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë, kjo nuk u realizua, sikundër as procesi i sigurisë – vettingu.
Tash në prag të fushatës zgjedhore, kreu i saj Kadri Veseli, ka proklamuar themelimin e Byrosë Anti-Korrupsion, raporton KTV.
Gjithashtu, Veseli ka premtuar se do të miratohet Ligji Kundër Nepotizmit.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, thonë se një ligj dhe praktikë e tillë nuk ekziston në asnjë vend të botës.
Ndërsa, Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se këto nisma të PDK-së janë të pakuptimta, ngase po bëhen vetëm për përfitime elektorale.
Tash e disa javë, PDK-ja ka nisur fushatën me moton për luftimin e korrupsionit. Madje, lideri i kësaj partie propozoi një dokument të quajtur pakt kundër korrupsionit, por që u refuzua të nënshkruhej nga partitë e tjera.
Në dy konferenca të mbajtura nga Veseli për këtë temë, në asnjërën prej tyre nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët.