Shqipëria ka shpallur gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Në Shqipëri, qeveria ka shpallur mbrëmjen e të martës gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila parashikon të kufizojë qasjen në mjediset publike, të ndalojë tubimet, manifestimet dhe grevat, të kufizojë në minimum aktivetet e organeve publike, të vendosë në karantinë të gjithë të dyshuairt për COVID-19, si dhe të kufizojë lëvizjet brenda dhe jashtë shtetit.
Vendimi parashikon një mori masash për të gjithë institucionet shtetërore, subjektet private qytetarët, si dhe përdorimin e fondeve për nevoja emergjente.
Qeveria miratoi edhe mbështetje financiare mujore për njerëzit më në vështirësi prej krizës që solli karantina e koronavirusit, të cilët janë familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike apo të papunët e asistuar nga shteti, raporton Zëri i Amerikës.
“Ka shumë familje të vetëpunësuara, ku kryefamiljari deklaron pagën e tij si minimale, por bashkëshorten e deklaron të punësuar pa pagë. Çdo i regjistruar si i vetëpunësuar me pagë apo pa pagë në biznes të vogël do të marrë një pagë mujore. Këta janë 60 mijë e 440 persona dhe shuma 710 milionë lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël në këtë kohë lufte, do të bëhet 1.57 miliardë lekë të reja”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai detajoi se shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqe, duke kompensuar gjithë të punësuarit a vetëpunësuarit në biznes të vogël, që nuk punojnë dot sot për shkak të karantinës.
Nga ana tjetër, 70 mijë familjeve me ndihmë ekonomike, që zakonisht marrin 340 milionë lekë, qeveria do t’u shpërndajë dyfishin e kësaj shum. Po ashtu, dyfishin e pagesave të papunësisë do të marrin edhe gjithë të papunët në regjistrin e ndihmës shtetërore.
“Janë 123 mijë familje më në hall se të tjerat në ketë vend që duhen ndihmuar”, tha Rama, duke përsëritur thirrjet për qytetarët që të qëndrojnë mbyllur në banesa, derisa rreziku të kalojë.
Po sot, Bashkimi Evropian njoftoi për një nidhmë konkrete për Shqipërinë për të luftuar COVID-19. “4 milionë euro për pajisje të menjëhershme dhe mbështetje shëndetësore; 11 milionë euro për mbrojtjen sociale; deri në 35 milionë euro për rikuperim ekonomik. BE-ja gjithmonë me Shqipërinë në kohë nevoje”, shkroi në rrjetet sociale ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
Më herët, një tjetër pacient me COVID-19 vdiq në Shqipëri, megjithë terapinë intenstive 10 ditore në Spitalin Infektiv.
Pacienti 49-vjeçar nga Tirana i shtruar prej 13 ditësh në Spitalin Infektiv, vuante edhe nga diabeti. Në total, kanë humbur jetën 5 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Edhe drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj, rezultoi i prekur nga COVID-19 pas analizave.
Lajmin e konfirmoi ministria e shëndetësisë. Ai është njëherësh edhe anëtar i shtabit shtetëror të emergjencës.
Në 24 orët e fundit, në Shqipëri u zbuluan edhe 19 raste të reja me COVID-19 pasi janë kryer 74 testime.
Gjithsej janë gjetur 123 persona të prekur nga 930 raste të testuara.
Në Spitalin Infektiv janë 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre në terapi intensive, pjesa tjetër në gjendje të qëndrueshme.
Në hartën e zonave të prekura nga COVID-19 u shtuan edhe Lezha, Hasi dhe Berati, ndërsa qytetet më të prekura janë Tirana, Fieri e Korça.