Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj “ikin” fshurazi në Bruksel

19:21 | 05 February 2019

Kryesuesit e Ekipit Negociator kanë ushëtuar për në Bruksel.

Pa paralajmërim dhe në mënyrë të fshehtë, kanë udhëtuar për në Bruksel, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Burime të televizionit të afërta me zhvillimet, kanë thënë se bashkëkryesuesit e ekipit negociator kanë udhëtuar për në Bruksel, të hënën, për të diskutuar për ecurinë e dialogut me Serbinë.

Nuk dihet se me kë janë takuar apo do të takohen, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin evropian.

Televizioni ka provuar të kontaktojë me Limajn dhe Ahmetin, por asnjëri prej tyre nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe pyetjeve të KTV-së.

Në vazhdimësi, si Limaj, ashtu edhe Ahmeti, kanë deklaruar se do të ketë transparencë të plotë për takimet dhe për procesin e dialogut.

Ndërkohë, KTV-ja ka raportuar se në fund të janarit, Limaj dhe Ahmeti nuk e kishin takuar ndërmjetësuesen e dialogut, Federica Mogherinin, por vetëm njërën nga këshilltaret e saj.

Ekipi shtetëror për dialogun kishte paralajmëruar se platforma për këtë proces do të dorëzohet në Kuvend në fund të janarit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, në fundjavë në Kuvend është miratuar Ligji për dialog, që është kundërshtuar nga dy partitë e mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

Komento: