Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj shkojnë ‘tinëz’ në Bruksel

16:34 | 11 March 2019

Edhe një takim pa paralajmërim i Shpend Ahmetit e Fatmir Limajt në Bruksel.

Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, kanë udhëtuar dje në Bruksel për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini.

Udhëtimin, njëjtë si herën e fundit, e kanë bërë pa ndonjë paralajmërim.

Burime të afërta me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, e kanë konfirmuar këtë për Koha.net, duke dashur të mbesin anonim. Burimet kanë treguar se në takim janë një numër më i madh i zyrtarëve nga Kosova, dhe jo vetëm Ahmeti e Limaj.

Një burim tjetër i afërt i Fatmir Limajt, ka thënë se sot në orën 17:00, pritet të zhvillohet një takim zyrtar në Bruksel, por nuk dihet saktë me kë.

Koha.net ka provuar t’i kontaktojë edhe Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, por asnjëri s’kanë qenë të qasshëm.

Kujtojmë se Ekipi negociator për dialogun, kanë thënë se platforma e cila u miratua në Kuvend, do të jetë qëndrimi i vetëm zyrtar në dialogun me Serbinë.

Komento: