Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti si duket është duke marrë më pak me Prishtinën, tash kur është emëruar bashkëdrejtues i ekipit shtetëror për dialogun.
“Jemi në konsultime për ta bërë prezantimin e të gjithëve në të njëjtën kohë. Besoj që deri në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës tjetër, do ta përfundojmë këtë proces të përzgjedhjes së drejtorëve”, pati thënë Shpend Ahmeti më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Por, kanë kaluar më shumë se dy muaj nga kjo deklaratë e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe emërimi i drejtorëve ende nuk është bërë, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Saktësisht, tre muaj nga shkarkimi i dy drejtorëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Ahmeti ka emëruar vetëm Bujar Gashin në krye të drejtorisë për Shëndetësi.
Derisa, drejtoria për Kulturë dhe ajo për Kadastër, akoma janë pa udhëheqës.
Kjo e fundit konsiderohet si më e ndjeshme, për shkak të natyrës së shërbimeve që ofron ndaj qytetarëve.
Në premtimin e radhës, komunarët thonë se emërimi i dy drejtorëve do të bëhet brenda pak ditësh.
Adonis Tahiri, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës, mohon që puna në këto drejtori të jetë dëmtuar si pasojë e mosemërimit të drejtorëve për tërë këtë kohë.
Drejtoresha e shkarkuar e Kadastrit, Nora Kelmendi, ka thënë se kjo Drejtori nuk mund të punojë pa drejtor, derisa ka shtuar se keqpërdorimet në këtë dikaster nuk kanë të ndalur.
Sipas Kelmendit, drejtoria e Kadastrit është kthyer në një Drejtori si para gjashtë vjetëve, ku askush nuk i jep përgjegjësi askujt.
Ajo ka deklaruar se po kthehen në pozitat e mëparshme punonjësit që u janë ndryshuar vendet e punës, për shkak të keqpërdorimeve dhe performancës së dobët.
“Drejtoria e Kadastrit nuk ka as udhëheqës të sektorëve dhe detyrën e kryejnë dy zyrtarë si ushtrues detyre, të cilët janë zgjedhur vetëm për tre muaj, ashtu siç e kërkon Ligji, por ende vazhdojnë të punojnë në këto pozita. Drejtoria e Kadastrit është kthyer në një drejtori si para gjashtë vjetëve, ku askush askujt nuk i jep përgjegjësi. Mund të hulumtoni dhe do ta shihni që kanë filluar të bëhen edhe disa ndryshime të vendeve të punës të personave të cilëve më herët u është ndryshuar vendi i punës, për shkak të keqpërdorimeve, apo nuk u është vazhduar kontrata e punës për shkak të performancës së dobët, por, pas dëbimit tim nga drejtoria, ata kanë filluar të punojnë në vendet e vjetra të tyre. Ju vetë mund ta paramendoni si punohet pa drejtor dhe udhëheqës të sektorëve, pa zot shtëpie në një drejtori ku keqpërdorimet nuk kanë të ndalur”, ka thënë Kelmendi.
Ajo ka shtuar se, nga nëntori, në këtë Drejtori nuk bëhen fare as raportet e punës.
Shërbimet pa drejtor nuk mund të bëhen si duhet, thotë gazetarja Salie Gajtani – Osmankaq.
Vonesën në plotësimin e pozitave, Gajtani-Osmankaq, e sheh si pamundësi për të gjetur personat e duhur kompetentë për të udhëhequr me këto drejtori të rëndësishme.