Shpend Ahmeti i përgjigjet Vuçiqit për taksën dhe Trepçën

15:53 | 04 February 2019

Heqja e taksës dhe statusi i ri i Trepçës është bërë ‘mollë sherri’ mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre serbë.

Kushtëzimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për ta vazhduar dialogun vetëm nëse hiqet taksa dhe mos ndërrimit të statutit të Trepçës, i është përgjigjur bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar në Facebok se Vuçiq ka shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog, duke përmendur miratimin në Kuvend të statusit të ndërmarrjes Trepça.

Sipas Ahmetit, vendimet Vuçiqit nuk kanë peshë juridike dhe ai është duke humbur kohë.

Ja statusi i plotë:

Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”!

Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.

Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit.

Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë.

Komento: