
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një çerdhe private në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dalë ne sqarim pas publikimit të pamjeve nga një kopsht private në kryeqytet, ku një edukatore e ka goditur shuplakë një fëmijë.
Ahmeti sqaron se komuna nuk i licencon e as nuk i monitoron çerdhet private të fëmijëve.
“Pas pyetjeve të disa gazetarëve në lidhje me një incident në një çerdhe private në Prishtinë, informojmë publikun dhe mediat se Komuna e Prishtinës NUK licencon dhe NUK monitoron çerdhet private. Çerdhet licencohen dhe monitorohen nga Ministria e Arsimit. Po ashtu, bizneset regjistrohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka shkruar Ahmet.
Kryetari i Prishtinës thotë se komuna ia ka kërkuar institucioneve të nivelit qendror kompetencat për të kontrolluar çerdhet private.
“Licencimin e monitorimin e kemi kërkuar shumë herë ai kompetencë nga niveli qendror, por që nuk kemi marr përgjigje pozitive”, thuhet në postimin e Ahmetit.
Një nënë nga Prishtina e ka akuzuar edukatoren e një kopshti në kryeqytet se ka abuzuar me fëmijën e saj.
Ajo ka publikuar edhe video, ku shihet edukatorja duke e rrahur fëmijën. Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe kopshti ku ka ndodhur rasti.
Sipas postimit në faqen zyrtare të Kopshtit, punëtorja që shihet në video është përjashtuar nga puna.
“Me të parë skenën përgjegjësit e ndërrimit menjëherë kanë reaguar duke e përjashtuar nga puna punëtoren në fjalë, ndërsa prindit i është kërkuar falje dhe i është lejuar qasje në të gjitha incizimet në klasën e fëmijës së tij, në mënyrë që të shoh se si është trajtuar fëmija i tij gjatë gjithë qëndrimit në qerdhen tonë”, thuhet në postim.