Shpend Maxhuni rikthehet në polici, por në çfarë pozite? – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Shpend Maxhuni rikthehet në polici, por në çfarë pozite?

17:35 | 24 Dhjetor 2019

Shpend Maxhuni është rikthyer në polici por nuk dihet në çfarë pozite.

Pas dorëheqjes së befasishme nga pozita e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni sërish iu kthye ‘dashurisë së vjetër’. Që nga dje, Maxhuni ka nisur punën në Policinë e Kosovës, institucion ky në të cilin kishte shërbyer për vite me radhë. Lajmin për rikthimin e Maxhunit në Polici, e ka konfirmuar për Express, drejtori i këtij institucioni, Rashit Qalaj.

Ka kërkuar përsëri strehë në Policinë e Kosovës, institucion ky që Shpend Maxhuni e udhëhoqi për vite me radhë, deri në skandalin me gylenistët, kur edhe u shpërblye me pozitë në Agjencinë për Inteligjencë. Në këtë institucion të lartë të sigurisë në vend, Maxhuni shërbeu për gati dy vite.

Por më 6 nëntor, Shpend Maxhuni dorëzoi dorëheqjen nga kreu i AKI’së, tek kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këtë dorëheqje Maxhuni e kishte arsyetuar si pasojë e disa problemeve shëndetësore ndërkohë që pati spekulime se ai mund të dërgohet si diplomat në Turqi.

Por nuk kishte shkuar shumë kohë e Maxhuni sërish kishte kërkuar që t’i bashkohet Policisë së Kosovës. Institucion ky, në të cilin ai kishte shërbyer që nga themelimi, e ishte ndër gjeneratat e para të Shërbimit Policor të Kosovës, ashtu siç quhej para se Kosova të bëhej shtet.

Diçka më shumë se tre javë që kur Maxhuni bëri kërkesën për rikthim në polici, ajo iu aprovua.

Më 23 dhjetor të këtij viti pra dje, Maxhuni ka rinisur punën e tij në Policinë e Kosovës. Por pozita në të cilën do të shërbejë tash e tutje ai në këtë institucion të sigurisë në vend, nuk u bë e ditur.

Lajmin për rikthimin e Maxhunit në PK, e ka konfirmuar për Express, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

“Po mund të ju konfirmojë se Maxhuni dje ka nisur sërish punën në Policinë e Kosovës”, ka thënë shkurt Qalaj.

Megjithëkëtë, Maxhuni para se të emërohej shef në AKI kishte ngrirë pozitën në polici, e se kërkesa për t’u kthyer në këtë institucion është legjitime. Kështu kishte thënë vet Qalaj.

“Është kërkesë e tij, në momentin kur ka shkuar në AKI e ka ngrirë pozitën kështu që është ligjore që të kthehet. Në pozitën që ka qenë jo, mirëpo, mund të kthehet është obligim të kthehet në punë”, shton ai.

Ndërkohë Express, gjatë ditës ka provuar që të kontaktojë edhe me vet Shpend Maxhunin, mirëpo ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës.

E rikthimin e Maxhunit në Polici, me shqetësim e kanë pritur shoqëria civile.

Ndërkohë, e drejta e kthimit të një zyrtari policor i cili me vetë dëshirë largohet ose ndërron pozicion, ekziston, dhe është e rregulluar me udhëzimin administrativ.

Shpend Maxhuni dorëzoi dorëheqjen te kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, me datë 6 nëntor, derisa një ditë më vonë Haradinaj tha se kjo dorëheqje kishte ardhur si pasojë e shkaqeve shëndetësore.

Komento: