Edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina më në fund është zbukuruar dhe ka marrë një pamje tjetër.
Komuna e Prishtinës më në fund ka përfunduar dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit, shkruan lajmi.net.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka publikuar disa fotografi të shesheve kryesore.
“Bredhat në tri sheshe dhe dritat e ndryshme janë ndezur në krejt qytetin. Tregu i fundvitit edhe sivjet po mbledh shumë njerëz në atmosferën e festave të fundvitit”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell lajmi.net.
Ndryshe, komuna e Prishtinës për dekorimin e shesheve kryesore kishte ndarë 75 mijë euro buxhet.
Duke e krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit komunës i ka kushtuar 17 mijë euro më shumë dekorimi i shesheve kryesore.
Ndërkaq për këtë Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, kishte konfirmuar për lajmi.net se këtë vit buxheti ishte më i lartë për shkak se është shtuar edhe sheshi “Adem Jashari”.
Më poshtë ju sjellim fotografitë që ka shpërndarë Ahmeti në Facebook.