“Pika e parë në një natë historike, këta djem janë të mahnitshëm”, shpërthen festa në Andorrë pas barazimit me Kosovën.
Kombëtarja e Andorrës nuk është mësuar të marrë pikë në ndeshje kualifikuese për Evropian ose Botëror.
Por, Kombëtarja nga principata e vogël ia doli ta befasojë Kombëtaren e Kosovës, së cilës ia nxori një barazim 1:1 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet për Euro 2024.
Dhe, kundërshtarët e “Dardanëve” e kanë festuar këtë arritje që e bënë në stadiumin “Fadil Vokrri” si të ishin kualifikuar në Kampionat Evropian, shkruan “Gazeta Express”.
Festë kishte edhe në Federatën e Futbollit të Andorrës, e cila e bëri një postim special dhe festiv në rrjetin social.
“Mbyllet loja. Pika e parë në një natë historike. Këta lojtarë janë të mahnitshëm, na befasojnë çdo ditë e më shumë. Barazimi është për ju, fansa. Forca Andorra”, ka shkruar Federata e Andorrës.
Kosova i lëshoi dy pikë të rëndësishme në një ndeshje për t’u harruar sa më shpejt, duke ia zbehur kështu vetes gjasat për ta siguruar kualifikimin historik në një Kampionat Evropian.