
Ramosi shpërthen në lot: Do të kthehem herët a vonë.
Sergio Ramosi nuk ka mundur t’i përmbajë lotët e hidhërimit në konferencën e lamtumirës nga Real Madridi, duke thënë se më shumë se një lamtumirë, largimi i tij është “shihemi më vonë”.
Përfaqësuesi i Spanjës Ramosi do të largohet nga Real Madridi këtë verë pasi i kaloi plot 16 vjet në klub, ku fitoi çdo trofe të mundshëm, raporton Gazeta Express.
Mbrojtësi 36-vjeçar, i cili ishte kapiten i Real Madridi për shumë vite, i emocionuar tha se do të rikthehet një ditë në klubin që do ta mbajë në zemër tërë jetën.
“Ka ardhur çasti, njëri prej më të vështirëve në jetën time, ka ardhur koha t’i them lamtumirë Real Madridit. Erdha këtu dorë për dore me babanë tim…” tha Ramos para se të shpërthente në lot.
“Është e vështirë të mos emocionohem. Do të kisha dashur të them lamtumirë në stadium, në Santiago Bernabeu. Faleminderit Real Madrid. Do të të bart në zemër përgjithmonë”, shtoi ai.
“Ky është fundi i një periudhe të veçantë dhe të mrekullueshme në jetën time dhe fillimi i një periudhe shprese dhe të ardhmja me dëshirë të madhe për ta treguar më të mirën time për shumë vite në vazhdim dhe për të qenë në gjendje ta shtoj edhe një trofe në listën e trofeve të mi”.
Ai theksoi: “Faleminderit shumë të gjithëve. Kjo është më shumë se lamtumirë; është shihemi më vonë, sepse do të kthehem”.
Ramosi shpjegoi se mënyra sesi rrodhën bisedimet me Real Madridin, duke e bërë të qartë se ai nuk kishte dashur të largohej.
“Kanë ndodhur shumë gjëra, rrethana që ndodhin në jetë. Gjëja e parë që dua ta them është se unë nuk kam dashur kurrë të largohem nga Real Madridi, gjithmonë kam dashur të qëndrojë”, shpjegoi ai.
“Në muajt e fundit, klubi ma bëri një ofertë njëvjeçare, me ulje page. Paraja nuk ishte kurrë problem, presidenti e dinte se unë do ta bëja të qartë se nuk ishte çështje ekonomike. Problemi ishte vitet e ofruara; ata ma ofruan një vit ndërsa unë doja dy vite. Ishte për stabilitetin e familjes sime”, tregoi ai.
“Në bisedimet e fundit iu thashë se do ta pranoja ofertën dhe ata më thanë se nuk kishte më ofertë. Më thanë se, edhe pse unë u pajtova me ofertën e fundit, ajo nuk ishte më në tavolinë. Më thanë se oferta kishte datë skadimi por unë s’e dija për këtë”, përfundoi ai.