Përkthyesi shpërthen ndaj Prokurorisë: Më detyruan t`i përkthej konkluzionet për pesë minuta, përmes Viberit
Përkthyesi i ekspertizës së autoriteteve zvicerane, Ismail Ismaili ka drejtuar akuza në drejtim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit për joseriozitet në qasje sa i përket procedurave të përkthimit të konkluzave për rastin Dehari.
Ai ka thënë se faqja me tri konkluzat e raportit, të publikuara dje në medie nuk i ishin ofruar me kohë për përkthim, krahas rreth 60 faqeve të raportit. Ismaili ka thënë se faqen e shkruar në frëngjisht me konkluzionet kryesore të raportit e ka marr për përkthim vetëm 5 minuta para se t`i dorëzohet raporti familjes Dehari. Madje sipas tij një komunikim i tillë i është bërë përmes Viberit.
“Një vërejtje që e kanë bërë ata për konkluzionet, kjo është katastrofë, sepse m`i kanë dërgu me Viber rreth 5 minuta para 10-ve. Ata në orën 10:00 e kanë pasë takimin me dorëzu raportin. Brenda pesë minutave, prej Viberit sa kam mujtë me nxjerr unë, e kam përkthy. Një faqe për 5 minuta as s`mund e përkthen as s`mun e shkrunë” ka thënë Ismaili për Gazetën Sinjali.
Ismaili ka theksuar se Prokuroria është munduar ta fajësoj se e ka harruar për përkthim letrën me konkluzione të cilën thotë se nuk ia kishin dërguar.
“Janë gjana të cilat nuk i kam pshtjellë unë. Konkluzat i kanë çu dje. Unë nuk e kam pasë atë letër fare edhe plus më akuzojshin, thojshin e ke harru! Kjo s`është e vërtetë fare, se nuk i kam pasë hiç. A kanë dashtë ata me i mshefë a çka kanë dashtë me bo, punë e tyre!?”, ka theksuar Ismaili.
Ismaili nuk ka dashur të flas me emra se kush nga prokuroria ia ka bërë një kërkesë të tillë ndonëse siç është raportuar në medie, dje raporti i është dorëzuar familjes Dehari nga Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala dhe prokurori i rastit Dehari, Metush Biraj.