
Këtë të diele do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës.
Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, duke shpalosur programin qeverisës, ka komentuar akuzat që kryetari i LDK-së, ka bërë ndaj tij.
Me këtë rast Bulliqi tha se arsyeja që këto akuza po bëhen në kohë të fushatës zgjedhore është për faktin se, LDK ka frikë nga ai pasi është më i përgatitur dhe i duhuri për këtë komunë.
Me këtë rast Bulliqi nuk ngurroi ta quajë Mustafën “xhonturk” i LDK-së për shkak se siç tha ai, Mustafa është njëri prej njerëzve që më së paku ka të drejtë të flasë për LDK-në sepse ka ardhur shumë vonë në këtë parti për të mos thënë nuk ka qenë asnjëherë.
“Është një frikë e madhe e cila e ka kapluar LDK -në, në nivelin qendror dhe nivelin lokal sepse e kanë parë që ne në Podujevë garojmë me kandidaturë serioze dhe vullneti qytetar duket që është kah shkon në drejtim të ndryshimit dhe këtë ndryshim, as Isa Mustafa, as Agim Veliu askush tjetër nuk mund ta ndal për arsye se procesi është i ndryshimeve, e ardhmja është për rininë prandaj kjo është frika e këtyre akuzave, madje Isa Mustafa në një formë ka ra në marre për krejt procesin e veprimeve të cilat i ka bërë deri sot sepse opinioni publik dhe qytetarët e vendit i dinë veprimet e tij dhe ndoshta është njeri prej njerëzve që më së paku ka kompetencë për të folur për LDK-në sepse realisht Isa Mustafa është një “xhonturk” brenda LDK-së sepse është një njeri shumë vonë i ardhur në LDK për të mos thënë s’ka qenë asnjëherë ka LDK-ja”, tha Bulliqi.
Bulliqi foli edhe për kundërkandidatët të cilët janë në garë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës, ku për Nexhmi Rudarin, kandidatin e LDK-së tha se nuk e ka besimin as në lagjen e tij e jo më të qytetarëve të Podujevës.
Ndërsa për kandidatin e PDK-së, Naim Fetahu, u shpreh se nuk është kandidat serioz dhe se nuk është kandidat premtues që mund të qeverisë Podujevën.