
Të shtunën e 13 janarit 2024, si e pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, janë lënduar 15 persona në fshatin Kçiq të Mitrovicës, shumica prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në Mjekimin Intensiv në kuadër të QKUK-së aktualisht janë të hospitalizuar tre pacientë.
Shefi i Intensives, Shaqir Uka ka folur për Front Online lidhur me gjendjen e pacientëve.
Uka tha se gjendja e tyre është relativisht stabile.
“Tre nga katër pacientë që janë pranuar ditën e shtunë janë duke u trajtuar në klinikën Intensive. Lëndimet janë serioze, gjendja e tyre relativisht stabile. Dy nga pacientët vazhdojnë të qëndrojnë të fjetur me barna dhe me aparat të frymarrjes”, theksoi Uka.
Uka bëri të ditur se njëri nga pacientët, është dërguar për trajtim në Suedi, pasi që, siç tha ai, është shtetase suedeze.
“Një fëmijë që ka qenë me djegie të rëndë, pasi ka qenë banore e Suedisë dje ka vazhduar për trajtim të mëtejshëm në Suedi. Për pacientët e tjerë njëherë lëndimet e tyre mund të trajtohen në QKUK”, ka treguar ai.
Disa pacientë po trajtohen edhe në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK.
Doktori i Kirurgjisë Plastike, Agim Berisha ka folur për gjendjen e pacientëve që po trajtohen në këtë klinikë.
Ai tha për Front Online se gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë.
Berisha ka treguar se diku 12 pacientë janë të hospitalizuar.
“Rreth 12 pacientë janë të hospitalizuar, 6 në repartin tonë e 6 në repartin tjetër. Gjendja e tyre është e rëndë, nevojitet ndërhyrje. Disa pacientë duhet të dërgohen jashtë shtetit për trajtim, por duhet ta shikojmë gjendjen e tyre se në këtë gjendje nuk mundën të transportohen”, ka thënë Berisha.
Përndryshe, Kosova edhe më tutje nuk ka një Qendër për Djegie, në mungesë të së cilës pacientët në rastet e tilla të djegieve si rasti i fundit në Kçiq, duhet të referohen jashtë vendit. Drejtuesit e Klinikës së Kirurgjisë Plastike disa herë kanë potencuar nevojën e ndërtimit të një Qendre të tillë, pasi që trajtimi i një pacienti jashtë vendit i kushton buxhetit të shtetit 100 mijë deri në 200 mijë euro.
Sipas raportit të Policisë bombola ka shpërthyer në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin viktimat.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Kçiq i Madh, Mitrovicë Jugu / 13.01.2024 – 16:35. Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.”
Në QKUK kanë shkuar kryeministri Albin Kurti dhe ministri Arben Vitia. Kurti tha se qytetarët duhet të kenë kujdes me përdorimin e bombola e pasi sipas tij ky nuk është aksidenti i parë. Ndërsa Vitia ka thënë se 15 anëtarë të një familje kanë pësuar djegie si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës.