Shpërthimi i koronavirusit, Gjermania dhe disa shtete të mëdha evropiane futen në izolim

09:34 | 02 Nëntor 2020

Koronavirusi ka shpërthyer sërish në Evropë.

Gjermania, nga sot, futet në izolim të pjesshëm, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Numri i rasteve të reja në këtë vend u rrit të hënën për 12,097.

Të dhënat e Institutit Robert Koch për Sëmundjet Infektive tregojnë se numri i përgjithshëm i të infektuarve në Gjermani aktualisht qëndron në 545,027.

Në 24 orët e fundit, Gjermania regjistroi edhe 49 viktima nga koronavirusi, të cilat e çojnë në 10,530 numrin total të tyre.

Izolimi i pjesshëm në Gjermani do të zgjasë një muaj.

Belgjika, e cila po përjeton shpërthimin më të keq të koronavirusit në Evropë, po ashtu futet në izolim nga sot.

Këtë javë, në izolim të pjesshëm do të futen edhe Portugalia, Greqia dhe Austria.

Italia, Franca, Spanja, Çekia dhe Polonia tashmë kanë ndërmarrë kufizime të ashpra.

Numri total i të infektuarve me koronavirus në Evropë ka kaluar tashmë 10 milionë.

Komento: