Shqetësuese dhuna në shkolla, shumëfish më e lartë se raportimet zyrtare

08:26 | 29 Dhjetor 2025
Shqetësuese dhuna në shkolla, shumëfish më e lartë se raportimet zyrtare

Njohësit e arsimit vlerësojnë se dhuna në shkollat e Kosovës është në rritje dhe se mungesa e raportimit të rasteve po e fsheh përmasën reale të këtij fenomeni, duke rrezikuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard  ka thënë se mungesa e raportimit të saktë dhe ndërhyrjes së menjëhershme nga autoritetet arsimore rrit rrezikun për zhvillimin emocional dhe intelektual të fëmijëve, duke sjellë pasoja afatgjata psikologjike dhe sociale.

Qehaja, nënvizon se është thelbësore të ekzistojë evidencë e saktë empirike për dhunën në shkolla.

“E kemi të rëndësishme që të kemi një evidencë të saktë empirike sa i përket numrit të dhunës prezente në shkollat tona. Jo vetëm të raportuara nga shkollat dhe institucionet arsimore, por edhe në raportet nga policia po ashtu. Unë rikujtoj që dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme dhe jo gjithmonë janë të kategorizuara si dhunë fizike, mirëpo ajo çka neve na nevojitet është se çfarëdo trajte që të jetë prezente dhuna, ta kemi dokumentuar dhe kjo evidencë e dokumentuar të na shërbejë edhe për intervenime të domosdoshme nga institucionet tona, në mënyrë që ta rrisim sigurinë dhe mirëqenien e institucioneve arsimore”, tha ai.

Qehaja shtoi se shumë raste nuk trajtohen me seriozitetin e duhur dhe shpesh anashkalohen.

“Përgjithësisht, një pjesë e shkollave, jo të gjitha, rastet e dhunës në çfarëdo trajte qofshin ato, nuk i marrin me seriozitetin e duhur. Shumë prej tyre anashkalohen, shumë prej tyre në tërësi heshtën dhe shumë të tjera nuk raportohen fare ose zgjidhen brenda komunitetit. Rikujtoj se ka plot udhëzues kundër dhunës në shkolla, por sa të njëjtat gjejnë zbatim nga udhëheqësit arsimorë, nga komuniteti i mësimdhënësve për të garantuar sigurinë në institucionet arsimore, është pikëpyetje e madhe. Është një debat që meriton një vëmendje më të madhe, por edhe reagim më të qëndrueshëm institucional, qoftë si përkrahje për shkolla, qoftë si përkrahje në rritje të sigurisë brenda institucionit të shkollës, qoftë si përkrahje në rritje të vetëdijesimit në forma dhe trajta të ndryshme të dhunës, dhe përkrahje për mbrojtje për nxënës dhe përkrahje si parandalim për nxënës nga mësimdhënësit”, tha ai.

Ai theksoi se pa statistika të sakta nuk mund të ketë ndërhyrje të targetuara.

“Duhet me u siguru që këto raportime të dhunës të jenë statistika të sakta. Pra, që shkollat ta krijojnë atë vetëdije që çfarëdo forme e dhunës të raportohet dhe në bazë të këtyre të dhënave edhe të ndërtojmë një intervenim më strategjik karshi shkollave që kanë një prevalencë më të rritur të dhunës. Dhuna është më prezente në shkolla të mesme të larta, sipas supozimit tonë, sesa në shkolla fillore. Mirëpo kjo pastaj është e shpërndarë nga zona në zonë. Për me pasë një pasqyrë të vërtetë, na nevojitet që kjo të na dëshmohet me evidencë empirike, në mënyrë që edhe intervenimi jo vetëm i ministrisë, por edhe i institucioneve tjera përgjegjëse të jetë shumë më i targetuar”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, e cilësoi dhunën në shkolla si fenomen me pasoja afatgjata.

“Sa i përket dhunës së raportuar nëpër shkolla, unë mendoj se është një fenomen shumë shqetësues, i cili pa dyshim i lë pasojat e veta afatgjata edhe në zhvillimin individual, por edhe në atë intelektual të fëmijëve, për shkak se kështu fëmijët faktikisht demotivohen dhe pësojnë edhe trauma psikologjike që me të vërtetë janë shumë të dëmshme për shëndetin e tyre mendor. Mendoj se ky fenomen ka qenë i shprehur edhe në të kaluarën, mirëpo është duke u rritur, çka është shumë shqetësuese, dhe kjo vjen si pasojë e gjendjes së rënduar të popullsisë në vendin tonë. Pa dyshim mund të themi në një masë të caktuar të shprehjes së depresionit te popullsia për shkak të kushteve të vështira ekonomike, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës që po e shohim për çdo ditë, që shumë njerëz janë duke u larguar”, tha ai.

Osmani theksoi se raportimi i pjesshëm po e rëndon edhe më shumë situatën.

“Kjo tash përbën faktikisht një dimension tjetër të trajtimit të këtij fenomeni, në kuptimin që raportimet nuk janë gjithmonë të sakta ose janë të pjesshme ose mbulohen për arsye të caktuara. Unë mendoj se stafi i shkollës, menaxhmenti duhet të ndërmarrë masa që ky fenomen faktikisht të zbutet, të luftohet dhe të shkohet në drejtim të evitimit të këtyre konflikteve dhe dhuna në asnjë mënyrë të mos jetë mjet i zgjidhjes së zënkave ose mosmarrëveshjeve të ndryshme”, tha ai.

Avokati i Popullit, në konferencën përmbyllëse të fundvitit, e ka cilësuar si shqetësuese dhunën që po ndodh në shkolla ku edhe ka vënë në pah se raportet tregojnë një prezencë të shtuar të dhunës mes moshatarëve dhe mes nxënësve dhe stafit mësimor, ndërsa shkollat shpesh nuk i raportojnë rastet.  Sipas të dhënave të MASHT-it për periudhën 2014–2024, shkollat kanë raportuar vetëm 272 raste, ndërsa Policia e Kosovës ka regjistruar 5,652 raste, duke treguar një shpërputhje të madhe dhe nevojën urgjente për masa konkrete nga ministria dhe institucionet arsimore.

“Çështja e dytë lidhur me të drejtat e fëmijëve ka të bëjë me dhunën në shkolla. Raportet që ne kemi publikuar tregojnë një prezencë të shtuar të dhunës në shkolla, si mes moshatarëve, ashtu edhe mes nxënësve dhe stafit mësimor. Është shqetësues fakti që shkollat nuk i raportojnë rastet. Sipas të dhënave të MASHT-it për periudhën 2014–2024, pra për 10 vite, shkollat kanë raportuar 272 raste të dhunës në shkolla, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, për të njëjtën periudhë janë regjistruar 5 mijë e 652 raste. Një shpërputhje kaq e madhe e statistikave tregon seriozitetin e situatës dhe nevojën që në mënyrë urgjente Ministria e Arsimit dhe shkollat të marrin masa, fillimisht duke i raportuar rastet dhe më pas duke identifikuar shkaktarët që po nxisin këto dukuri”, tha ai./Ekonomia Online

Komento: